Astrit Lulushi – Vizitor në atdhe?!

Astrit Lulushi

Vendos të kthehet, si vizitor, në vendin tij të lindjes që kishte menduar se nuk do t’a shihte më kurrë. Krijon ndjenjë optimiste, apo jo? Por ushqen pesimizmin. Kur iku 35 vjet më parë, sy me shikime të frikshme e shoqëruan pa ditur pse. Vështronin sy ulur dhe prisnin prej tij t’u thoshte se çfarë kishte vendosur do të bënte (do të merrte detin). Disa donin ta dinin për ta kallzuar, të tjerë për të thënë ‘oh sa mirë!’ Dhe vetëm kaq. Askush nuk i dinte – as ai vetë – peripecitë e ikjes.
Dhimbjet e diktaturës ishin bërë të padurueshme, shumë vetë ishin thyer dorëzuar dhe jetonin në mjerim pashpresë. Sot këta njerëz i sheh përsëri; njësoj të moshuar si ai; mund të jenë të ngarkuar me halle të jetës së përditëshme; ndonjë edhe pa shtëpi; por të gjithë mendojnë se diçka kanë fituar; kanë hedhur tej atë ndjenjë të dikurshme të frikës – që i detyronte të tregonin fytyrën e ujkut shqyes të pamëshirëshëm për të fituar një vështrim dashamirës nga regjimi – liria i ka bërë disi njerëz.
Të jetosh pa liri është shkalla më e ulët e të qenit. Ata sot jetojnë një shkallë më lartë, jo më shumë. Për të vazhduar ngjitjen duhet ndershmëria a integriteti që shumë vetë e kanë të vështirë ta gjejnë në këtë kaos e hutim 30 vjeçar. Gjendja jo shumë ka ndryshuar, thonë. Më parë rrugët ishin plot me njerēz; sot duket se ka më shumë rrugë të gjera e sheshe, por jo shumë njerëz. Afërsisht 50% e popullsisë ka emigruar, ligjshëm a duke lënë ligjin pas. Nuk është kjo gjendje që Shqipëria ka meritiuar. Ata të rinj që kanë shkuar jashtë për të studiuar nuk kthehen dot kur shohin perspektivën e mbyllur; qeveria nuk i do për nëpunësa, pasi sjellin me vete frymën perëndimore të kryerjes së punës (prakticitetin, dhe kundërshtimin e padrejtësisë që drejtuesi autokrat nuk e pranon). Janë pastaj edhe ata që kishin emigruar për më shumë liri dhe tani duan një fillim – për ‘ta ky kthim është emigracion i ri, këtë herë në vendlindjen e tyre – ata u ngjajnë jetimëve – një shtet jo i mirë, nuk njeh as të drejtën; dhe pa njohjen e saj s’ka si të njohë gjë tjetër.