Biblioteka Kombëtare mbyllet sërish, dalin tre të infektuar me koronavirus

Mes personave të infektuar në 24 orët e fundit në Tiranë, janë edhe tre të cilët punojnë në Bibliotekën Kombëtare e cila gjendet tek Pallati i Kulturës.

Burimet nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se një grua, bibliotekare, ka shfaqur simptoma të koronavirusit dhe ka kërkuar ndihmë në numrin e urgjencës për t’i bërë tampon.

Pasi është testuar gruaja, ka nisur gjurmimi epidemiologjik në familjen e saj dhe në qendrën e punës.
Raportohet se kjo grua ka infektuar edhe dy kolege të saj punonjëse në Bibliotekën Kombëtare.

Ende nuk ka një informacion se sa persona të tjerë kanë infektuar këto tre gra.

Biblioteka Kombëtare sakaq është mbyllur. Në një njoftim që doli, thuhet se situata e re e krijuar, me shtimin e numrit të të prekurve nga COVID19, shtrëngon sërish Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë që të ndërpresë shërbimet në ambientet fizike të saj, deri në një njoftim të dytë.