Me dy në tre farmaci me probleme likuiditeti shteti duhet të ulet me farmacistët – duhen masa konkrete për të mos ngelur në Vjeshtë. – #Covid19

Admir Malaj, PhD në ekonomi shëndetësore

1. Farmacitë dhe kriza prej masave kufizuese Covid-19
Gjatë periudhës së masave kufizuese ndërmjet Marsit dhe Qershorit opinioni publik perceptoi sikur farmacitë ishin ndër aktivitetet më pak të prekura. Duke parë oraret e çeljes, radhët e pacientëve apo qytetarëve dhe disa çmime të produkteve mbrojtëse dhe higjenizuese që pësuan rritje gjithçka linte të mendoje se ky nënsektor shërbimesh brenda sistemit shëndetësor e kaloi pa vështirësi krizën e krijuar nga masat kufizuese. Në fakt asgjë më e largët se sa realiteti në terren, siç duket dhe nga rezulatet e pyetësorit të bërë tek farmacistët ndërmjet muajit Maj dhe Qershor.
2. Çfarë nxjerrin rezultatet?
2.1. Kush ka qenë aktiviteti i përditshëm?
97.8% e farmacistëve ka punuar gjatë pandemisë dhe 98.9% ka zbatuar kufizimet. 73.8% ka marrë kërkesa urgjente për shërbim edhe përtej orareve të kufizimit. 95% e urgjencave nuk kanë qenë të lidhura me Covid-19, por me kërkesa për këshillime dhe mungesë barnash në oraret e mbylljes. Gjysma deklaron që jashtë orareve është thërritur mbi 10 herë. Arsyet lidhen me besimin, kufizimet e orareve të qendrave shëndetësore dhe frikën e pacientëve nga infektimi, si dhe në disa raste, siç deklarohet, edhe pamundësia e pacientëve me simptoma influencale për të takuar mjekun. Gjatë periudhës së mbylljes farmacistët mendojnë se kanë identifikuar persona me simptoma të Covid-19, por ndalen kryesisht në 1 deri në 4 raste. Madje shumë mendojnë se persona me simptoma të ngjashme kanë hasur edhe para Marsit. E kuptueshme kjo pasi Covid-19 ka simptoma të ngjashme edhe me influencën stinore.
2.2. Sa të mbrojtur janë ndjerë në punë farmacistët?
1 në 5 farmacistë nuk ka pasur mjete mbrojtëse, pasi ka qenë shumë e vështirë gjetja, për gjysmen ka qenë shumë e vështirë dhe çerekun disi e vështirë. Kostoja për pajisjen e tyre ka variuar nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë të reja për farmacist. 90% e farmacistëve do të donin që kjo kosto e paparishikuar të rimbursohej në një mënyrë apo tjetrën. 90% e farmacistëve nuk janë të ndjerë të mbrojtur nga Covid-19. Edhe pse vetëm 30% njihte kolegë të prekur në fillim të Qershorit. Nërkohë investimi i nevojshëm për të përshtatur përshtatur farmacinë me masat Covid-19 shkon nga disa dhjetëra mijë lekë deri në dsa qindra mijëra lekë për disa të tjerë. 85% e farmacistëve deklarojnë stres të shtuar dhe rreth 14% duan ta lënë punën fare, faktorët lidhen me pacientët, sjelljen dhe pritshmëritë e tyre, rënien e shitjeve, opinioni (i gabuar sipas tyre) mbi çmimet e farmacive etj.
2.3. Sa humbje kanë pasur farmacitë?
90% deklarojnë ulje të xhiros, ndërsa 1 në 2 deklaron ulje 30% të xhiros dhe 1 në 4 deklaron një ulje 50%. 87.5% deklaron se arsyeja kryesore është mungesa e recetave, sepse mjekët kanë kufizuar vizitat, ndërsa 10% deklarojnë si arsye uljen e konsumit të barnave pa recetë. Ndërkohë barnat me rimbursim kanë ndikuar shumë pak në këtë ulje. Më shumë se gjysma e farmacistëve, 56.7%, mendojnë se me xhiron aktuale nuk mund ta përballojnë më mbajtjen e aktivitetit dhe 60.8% mendojnë se do shkurtojnë vende pune. – flitet për 1 vend pune për farmaci pasi farmacitë janë aktivitete të vogla. Në Qershor rezultonte se në 1 nga 10 farmaci, që janë përgjigjur, dikush e kishte humbur vendin e punës, prej uljes së punës/pagës, frikës nga infektimi, apo mungesës së transportit. Humbjet për farmaci llogariten nga disa qindra mijëra lekë të reja deri në mbi një milion për farmaci, duke llogaritur xhiron e munguar, si dhe që një pjesë e mirë e inventarit ka skaduar ose ka afate të shkurtra skadence. Në fakt 67.7%, pra 2 farmacistë në 3 deklarojnë probleme likuiditeti, pra mundësie për të paguar, faktor kyç ky për rinovimin e inventarit. Më shumë se gjysma mendon se do t’i duhet më shumë se një vit për të rekuperuar dëmin, ndërsa vetëm 1 në 5 mendon se mund ta rekuperojë brenda 3 muajsh, pra brenda mesit të Shtatorit. Kujdes sepse ky është dhe momenti kur pritet që dhe me afrimin e influencave stinore të ketë dhe një agravim të situatës epidemiologjike të Covid-19.
2.4. Çështje të tjera
9 në 10 farmaci nga ato që janë përgjigjur kanë pasur kontrolle, ku vetëm 1 në 5 i konsideron këto të fundit me vlerë dhe edukuese. Kjo e dhënë duhet të jetë subjekt për reflektim, mbi vlefshmërinë e këtyre kontrolleve. Farmacistëve nuk ju janë kërkuar shumë donacione, por më së shumti kanë qenë individë në nevojë që kanë kërkuar ndihmë, gati 60% e kërkesave për donacion kanë qenë nga individë në nevojë. Ndërkohë që 4 në 5 farmacistë deklarojnë në pyetësor se kanë rritje të listës së pacientëve që nuk pagajnë në kohë, pra librit të borxheve.
3. Në konkluzion:
Më shumë se gjysma e farmacive ka probleme likuiditeti dhe do t’i duhet 1 vit ose më shumë për të marrë veten, duke shtuar këtu dhe problemet me skadencën e një pjese të inventarit, duket e vështirë se si farmacitë mund të qendrojnë me forcat e veta nëse në Shtator përballemi me një krizë tjetër Covid-19. Pa harruar këtu se shumica dërrmuese ka dhe stres në punë, kërkohet një qasje më pozitive ndaj këtij nënsektori të shërbimeve shëndetësore, për sa i përket financave, kushteve në punë dhe barrës rregullatore.
Kuptohet që Qeveria mund të kërkojë dhe bashkëpunimin me aktorë të tjerë, jashtë rrjetit tradicional të shërbimit farmaceutik në komunitet, por duhet të ketë kujdes në garantimin e të mirës publike në afat të mesëm dhe të largët. Duhet pasur një vigjilencë e veçantë, sidomos në këto momente në prandalimin e skemave të fiksimit të çmimeve nën kosto apo mbi kosto, që një financues i jashtëm mund të bëjë për të vënë në pozitë të vështirë konkurencën dhe pastaj kontrolluar tregun, apo dhe rastet e fiksimit mbi kosto të çmimit të barnave duke shpërdoruar besimin e pacientit e publikut dhe rritur artificialisht marzhet e fitimit. Këto janë skema të njohura dhe mund të parandalohen lehtë, por duhet pasur parasysh edhe një gjë. Favori i institucioneve publike në krahasim me rrjetin tradicional të shërbimit farmaceutik ka qenë pozita e monopsonisësit (pra blerësit të vetëm) që i ka lejuar që të negociojë edhe kontratat në pozita të forta. Në rast se rrjeti i shërbimit farmaceutik përqendrohet në tre apo katër grupe, do të krijohen vështirësi në negocimin e çmimeve në vazhdimësi, për standartet e shërbimeve, për cilësinë dhe sigurinë, ashtu si dhe për aksesin në territor. Një drejtim i tillë nuk do ishte i këshillueshëm.
*Në pyetësor janë përgjigjur mbi 15% e farmacistëve aktivë dhe nga ku rreth 60% janë vetë pronarë të farmacive, gjë që lidhet dhe me strukturën dominante 1 farmaci për 1 farmacist në vendin tonë, në Tiranë shkon 2 – 3 farmacistë. Janë mbuluar mirë dhe zonat e ndryshme, me qarkullim të lartë dhe të ulët të njerëzve. Kampioni është përfaqësues, duke pasur një interval konfidence në parametra të mirë, me një marzh gabimi prej 5%.
Ky studim është bërë me vetëfinancim nga nga studiesit, të cilët nuk kanë asnjë konfilkt interesi që lidhet me temën e trajtuar në studim, duke mos pasur asnjë marrëdhënie tregtare, ekonomike, financiare apo të një natyre që sjell përfitime me subjekte të sektorit në pesë vitet e fundit.