Rama negocion burgun. Dy alternativat e vetme: I penduar ose i pandehur

NGA BASIR ÇOLLAKU

I pandehur ose i penduar. Rrugë të tretë nuk ka e nuk duhet të ketë për Edi Ramën. Ka mot mot e disa muaj, që Edi Rama është rënduar, në shumë shtigje të qeverisjes, në kartelën e shëndetit të tij vertikal dhe horizontal, politikbërjes në vend e përpjekjen rajonale, duke hyrë në një zonë të ashpër rreziku, për të ardhmen e tij, projeksion të cilin e ka hedhur në rulet me të gjithë aksionet. SHBA dhe BE kanë mbërritur nxehtësisht në një mendje kundër përpëlitjeve të Ramës për të rrëzuar 5 qershorin e dakortësuar në Ambasadën Amerikane nga Këshilli Politik. Yuri Kim, Berlini, Bundestagu, Brukseli, i kanë kthyer kurrizin shefit të qeverisë dhe bëmave të tij të pavërteta. Pasi ka harxhuar shumë asete të pushtetit, financiare, marifete shpërblyese për të marinuar opozitën e emëruar në sallën e Kuvendit, tani akrobacinë e re, po e provon me ndërkombëtarët, aleatët e tij të deridjeshëm, kryqvënësit e sotëm të tij. Rrënimi ekonomik, keqmenaxhimi katastrofik i Pandemisë së covid 19, degradimi shkatërrues ndaj lehtësimit të pasojave të tërmetit të nëntorit të vitit të shkuar, e kanë bërë Edi Ramën njeriun shenjestër të së keqes nga shumë aktorë e faktorë.

Tani tentativat e tij janë të shumta, sepse ka një hall të pazgjidhshëm me të sotmen dhe të nesërmen, jo vetëm individuale.

Edi Rama po negocion burgun me këto xhingla politike. Ai po përpiqet si synim kryesor të marrë garanci për të mos u ndëshkuar nesër, për të mos përfunduar në qeli, bashkë me ortakët, pjesëtarë të kabinetit, protagonistë të biznesit e botës së krimit. Po negocion me gjithë arsenalin e pushtetit, e fuqinë e financave të shumëllojshme, për të ndenjur nesër mënjanë i patrazuar, e për të shijuar përfitimet marramendëse në këto 21 vite pushtet të konsumuar prej tij. Me këtë angazhim agresiv, Rama ka bashkëngjitur manovrën të mbajë sërish pushtetin, nëse kundërshtarët opozitarë, dremisin në përballje apo tolerojnë për arsye të panjohura. Lulzim Basha, Partia Demokratike, aleatët e saj, kanë premtuar publikisht se Edi Rama, Erion Veliaj, ministra, funskionarë e pushtetarë, abuzues me pushtetin, do të ndëshkohen me ardhjen në pushtet të tyre. Nuk do të ngjasë njëlloj si në këto 30 vite, kur rrotacionet politike, kanë shërbyer vetëm si ndryshime të ndenjurash nëpër karrige zyrash shtetërore e qeveritare. Ky është basti i Lulzim Bashës për të fituar dhe i Edi Ramës për të humbur. Nëse ia del Basha në këtë premtim, që duhet t’a mbajë me çdo kusht, atëherë shqiptarët do të vendosin precedentin se pushteti nuk del mbi shtetin. Në të kundërt, do të zhytemi në të shkuarën rrokopujë të tre dekadave, ku qytetarët janë gjithnjë kavie eksperimentale për një dorë të pandryshueshme pushtetarësh, derisa t’i marrë natyra në adresën e saj të fundme. Rama ka një telash tmerrësisht të rëndë me ngjarjet e Kosovës, rolin në një Pazar serb gjenocid të trojeve dhe kjo e ka shushatur shumëfish, duke e rënduar sasinë e gabimeve e paqetësisë së bërë publike. Edi Rama po mundohet të rrijë mbi ujë bashkë me Erion Veliajn, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Sajmir Tahirin, Fatmir Xhafajn, Emiljano Shullazin, Dritan Dajtin, Balilin, Avdylët, Vangjush Dakon, Bajrët, Qazim Sejdinin, Begot, Taulant Ballën, Kajmakun, Babanin, Suelin, Pjetrin, Rrahjat e Toyta Yaris të mbushur miliona eurosh. Të mbrohet e kruhet pas kurrizit të biznesmenëve si Mane, Kastrati, Fusha, Geci, Ulaj, Salillari, Zoto, Gjoka, Vilma Nushi, apo të na surprizojë me shpërblimin e faturës së Bechetit, të cilin duhet ta paguajë individualisht, se ndëshkimi ishte tekë personale jo ligjore. Të përpiqet të rifshehë llogaritë në banka e parajsa fiskale të ortakërisë së pushtetit, të pastrimit të parasë së drogës, të qokave të Lindës. Kjo nuk është më llogari me mbajtje pushteti pas zgjedhjeve. Tallavaja me deputetët gripalë të blerë jashtë partisë së tij, por si zgjatim i orekseve të tij, janë shkrepjet boshe para duelit të fundit. Agresiviteti l gjuhës publike të Edi Ramës ndaj opozitës, po kryesisht ndërkombëtarëve, se do të djegë vendin nëse nuk merr garancinë e qelisë, është dëshmi se keqshëndeti i tij është një dosje e rrezikshme. Edi Rama ka lexuar se për të kanë mbetur dy alternativa, kombëtare e ndërkombëtare, i pandehur ose i penduar. Kërkon një rrugë të tretë. Deri tani nuk e ka. Dhe për të mirë të vendit nuk duhet ta ketë.