Erdogan: Kisha e Shën Sofias kthehet në xhami!?

< Më në fund, pas një fushate intensive prej disa muajsh të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, Gjykata e Lartë turke ka revokuar statusin muzeal të kishës bizantine Shën Sofia, duke e quajtur atë të paligjshëm dhe duke i hapur kështu rrugën shndërrimit të saj në xhami. Kisha e Shën Sofias, u ndërtua në vitet 532-537 nga Perandori Justinian dhe shërbeu për më shumë se 1000 vjet si kishë bizantine, duke mishëruar njëkohësisht arritjet më të mëdha ndërtimore, arkitekturale dhe artistike jo vetëm të periudhës bizantine, por edhe të të gjithë qytetërimit europian deri në atë kohë. Pas rënies së Kostandinopojës në vitin 1453, ajo u shndërrua në xhami me urdhër të Sulltan Mehmet II (i mbiquajtur Pushtuesi) sipas ligjit ottoman, i cili lejonte konvertimin në xhami të kishave në ato qytete që pushtoheshin me luftë. Në vitin 1934, Presidenti i parë turk dhe themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Qemal Atatürk, e shndërroi ndërtesën në një muze. Këto ditë Gjykata e Lartë turke anuloi vendim e qeverisë të Presidentit Ataturk të vitit 1934 dhe vendosi që ky monument i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s duhet të rihapet për adhurim të muslimanëve, pavarësisht kritikave të shumta ndërkombëtare. Menjëherë pas vendimit, Erdogan nënshkroi një dekret për shndërrimin e Shën Sofias në xhami. Sot, para pak orësh, u dëgjuan thirrjet e para të muezinëve nga altoparlantët e e vendosur në këtë monument.