Pse po na izolojnë? Nga Indrit Vokshi

Nga Indrit Vokshi

Përpjekja jonë si shqiptarë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian nuk është diçka pa rëndësi. Përkundrazi, është me shumë interes për ne. Nëse ish-perandoritë koloniale si Britania dalin prej BE sepse kanë interesa të përveçme, kanë rrugë të tjera, kanë potencë në rang global dhe kanë luksin ta refuzojnë mundësinë që jep tregu i BE, ne jemi vend i mbaruar dhe i telendisur. Ne nuk e kemi atë luks për ta refuzuar BE-në. Ne na duhet BE sepse më shumë marrim prej saj, sesa japim për të. Na intereson si në aspektin ekonomik, si në aspekin gjeostrategjik. Kur jemi në BE, studenti shqipte studion kudo brenda BE, farmacisti shqiotar shkëmben kudo brenda BE, tregtari shqiptar shet kudo brenda BE, punëtori shqiptar punon kudo brenda BE.

Mirëpo sipas raportimeve të gazetares Erisa Zykaj, kancelarja Merkel pritet ta ndajë Shqipërinë nga Maqedonia. Për Maqedoninë pritet tryezë në nëntor, ndërsa për Shqipërinë nuk ka takim ndërqeveritar.

Por pse po izolohemi?

Prej kohësh mardhëniet Shqipëri-BE nuk janë të mira. Edi Rama kërkon të futet në BE siç ai dëshiron, me krimin e organizuar si sistem, me shtet të rrënuar, me polici e cila rreh shqiptarë rrugëve si polici talebane, me tatimorë që terrorizojnë biznese. Pra dëshiron të anëtarësohet duke dhunuar rëndshëm të drejtat dhe liritë minimale të njerëzve. Dëshiron të anëtarësohet pa gjykata, duke vjedhur zgjedhjet dhe duke privatizuar pushtetin.

Mirëpo BE ka kushtet e veta. BE aktualisht kërkon votimin në parlament të konsensusit për refomën zgjedhore, ndërsa Rama e zvarrit me murrizër. BE kërkon ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Rama e zvarrit. BE kërkon hetimin e krimeve zgjedhore, Rama i zvarrit. Motoja e këtij regjimi ka qenë “Të marr zvarrë”. Merr zvarrë artistët, aktivistët, merr zvarrë tregtarët e qepëve dhe të majdanozit, merr zvarrë buxhetin, merr zvarrë këdo. Tanimë, Edi Rama po merr zvarrë edhe përpjekjen e shqiptarëve për tu anëtarësuar në BE dhe për të përfituar ekonomikisht, shtetshmërisht dhe kulturalisht. Ta themi shkurt dhe kuptueshëm: Shqiptarët duhet të zgjedhin: o BE-në, o Edi Ramën.