Pse përballja e Kosovës për në Hagë nis nga Beogradi

Kristaq Xharo*

Përcjellja e pamfletit politik të prokurorit Smith kapi në befasi Kosovën, ndoshta dhe Shtëpinë e Bardhë, por jo Beogradin, Moskën apo edhe ndonjë kryeqytet tjetër europian. Prokurori special i ardhur nga konteja e Nju Jorkut, në mënyrë të çuditshme, publikon një akt-akuzë të pa konfirmuar ende nga Gjykata. Përfaqësuesi i Hagës, që supozohet të jetë një gjyqtar objektiv, apolitik, në ndeshjen midis palëve e pati të pamundur që mos hynte edhe vet në lojë, si në një rezultat skedinash të paragjykuara.

Nxitimi i publikimit nuk qëndron te rreziku i të akuzuarve apo dëshmitarëve, apo dhe vetë procesin, por në diçka që do të kërkoj kohë për tu njohur. Ndërsa për Kosovën dhe shqiptarët ishte vijim i një kronike të lajmëruar, ai që ndoshta u befasua më tepër ishte Uashingtoni, të cilit nga Brukseli i erdhi goditje e dyfishtë: ndalimi i lëvizjes për shtetasit amerikanë dhe dështimi i takimit në Uashington.

A u bë prokurori Smith pjesë e ‘lojës së luftës’ midis Kosovës dhe Serbisë, që pritej të gjykohej në Uashington? Prokuroria dhe Gjykata Speciale që u ngrit para pak kohësh si një reflektim ndaj produkteve të prodhuara nga guzhina e shërbimit sekret serb dhe të manipuluara në format horror nga Dick Marty dhe Karla de Ponte vështirë se do të mbetej e paanshme në aktrimin e vet. Rreshtimi i gjithë zinxhirit komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për tu thirrur në Gjykatën Speciale të Hagës, është format i propagandës serbe kohë më parë. Objektivi për të goditur dhe diskredituar luftën e Kosovës nëpërmjet vënies në akuzë zinxhirit të komandimit të UCK më tepër se drejtësi është pjesëmarrje në fushatën e helmatisur të Beogradit.

Akuza i përngjan Librit të Karla de Ponte, të përgatitur nga shërbimi sekret serb, por me veçorinë që kjo akuzë është zyrtare. Akt-akuza i shmanget kontekstit kohë dhe hapësirë. Në kohë ndeshja midis Serbisë dhe Kosovës ka histori të gjatë, por prokurorit duket që shumë pak i intereson historia. Duke shmangur kohën vendoset mbulesa e harresës mbi historinë e masakrave të shtetit serb mbi popullsinë shqiptare. Me gjuhën e përdorur aktakuza shumë pak dallon nëse ngjarjet zhvillohen në Kosovë apo Ruanda, Eritrea apo Kongo (Kinshasa). Në kontekstin e përmbajtjes kur flitet për ‘..afro 100 vrasje..’ ndjehet që aktakuza duket ende e papërfunduar. Edhe pas një ‘hetim të gjatë’ padia mbyllet me përafërsi… Në dilemë duket edhe për termin e ‘..vrasje të paligjshme..’. Një koincidencë interesante duket edhe përafrimi i numrit të të vrarëve.. në padi, me numrin e mbi 100 masakra, të dokumentuara që u kryen nga serbët me pasojë dhjetëra mije të vrarë, por që padia e Smithit i anashkalon dhe libri i Dickut dhe Karlës i ka injoruar.

Flitet që padia është individuale dhe në të përfshihet gjithë zinxhiri komandues i UCK. Më tej se ai nuk e prek thelbin, qëllimin dhe arritjet e luftës. Naivitet apo padituri djallëzore. Çfarë mund të jetë një ushtri pa linjë komandimi? – Turmë e armatosur është pak, lëvizje kaotike, por më tepër një ide djallëzore për të deformuar karakterin çlirimtar, të drejtë e human në një luftë e brendshme civile, vëllavrasëse dhe mbi baza të urrejtjes etnike. Këtë e gjen në aktakuzë, por në formë të mbuluar. Akuza e deritanishme nuk janë ngritur mbi përgjegjësi personale por drejtimi. Simbolik mbetet gjyqi ndaj Haradinajt.

A është UCK përgjegjëse për akuzat e zotit Smith? Nga përmbajtja e aktakuzës konfirmohet se padia ngrihet mbi bazën e ‘dyshimeve të arsyeshme’, pra të dëshmive të individëve. Kjo akuzë nuk merr në konsideratë apo injoron një element thelbësor, pozicionin e individëve dhe vetë UCK në periudhën e luftës apo më pas. UCK dhe individ të veçantë nuk kanë pasur asnjëherë autoritet dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për sigurinë e popullatës apo shtetit në Kosovë. Deri në vitin 1999, Kosova ishte nën pushtimin e Serbisë dhe autoriteti përgjegjës ishte shteti serb dhe Milloshevici. Bota e pa qartë se çfarë ndodhi. Krime lufte, krimet kundër njerëzimit, spastrim etnik, gjenocidi, rrëmbime, vrasje të civilëve përdhunimet, të gjitha të organizuara e të planifikuara, tërësisht të dokumentuara dhe të dëshmuara edhe nga opinioni ndërkombëtar. Kjo është dhe periudha e vetme që UCK u angazhua për të mbrojtur popullatën duke reaguar ndaj ushtrisë, policisë, paraushtarakëve dhe bashkëpunëtorëve që ju bashkuan.

Më pas, nga qershori i vitit 1999 e deri sot janë institucionet ndërkombëtare : UNMIK, EULEX, NATO përgjegjës direkt për sigurinë e shtetasve kosovarë, institucione të cilat mbi bazë konventash ndërkombëtare kanë mision dhe qëndrojnë ombrellë për sigurinë në Kosovë. Edhe të famshmet Forca të Sigurisë së Kosovës, pasardhës të UCK, dihet fare mirë, që nuk mund të lëvizin në asnjë rajon, pa përmendur enklava të banuar nga serbët pa lejen apo mbikëqyrjen e komandës së KFOR apo EULEX. E mbuluar dhe e mbikëqyrur nga autoritetet ndërkombëtare nuk dihet se sa aktakuza është mbështetur nga komunikata apo raporte zyrtare të këtyre institucioneve të cilat në çdo 6 muaj paraqiten në Këshillin e Sigurimit të OKB, ndërsa komunikatat e KFOR jepen në mënyrë të përditësuar në NATO. A duhej që kjo aktakuzë ti referohej edhe burimeve zyrtare ndërkombëtare, që aq më tepër nuk janë kosovare dhe të pandikuara nga interesat apo opinioni. A është në një linjë gjykata speciale me institucionet e tjera ndërkombëtare? Megjithatë, mbetet e qartë se përballja e Kosovës më parë se të jetë në Hagë është me Serbinë. Akuzat u prodhuan në guzhinën serbe, u mbollën nga makineria e propagandës kudo në botë, u përqafuan nga Karla dhe Dicku dhanë produktin e Gjykatës Speciale.

Serbia përdor me shumë sukses strategjinë e kompensimit, që ka për objektiv diskreditimin e shtetit të Kosovës dhe paraqitjen e tij si shtet i dështuar, i drejtuar nga persona të inkriminuar. Makineria e propagandës e Serbisë është e shkëlqyer për shpifje dhe intriga. Ishte kjo strategji dhe pjesë e saj propaganda agresive që e nxori shumë shpejt Serbinë nga pozicioni i fajit dhe agresorit në atë të atë të viktimës. Por, ndërsa Serbia ka një strategji të qartë, gjithmonë e ka pasur, Kosova, por jo vetëm, gjithë shqiptarët nuk e kanë. Alvin Toffler thotë që strategjia është mënyra që të dallon nga të tjerët dhe në mungesë të saj me apo pa dashje, do të jesh pjesë e strategjisë së dikujt tjetër, ndoshta edhe kundërshtarit.

Serbia, me të drejtë, ndjek parimin strategjik se lufta nuk mbaron edhe kur humbet një betejë, ndryshe nga në Kosovë ku besojnë se lufta e fundit ishte finale. Serbia vazhdon suksesshëm teorinë e bllokimit të njohjeve ndërkombëtare dhe duhet vlerësuar për rezultate që ka arritur. Njohjet e deri atëhershme, që më tepër janë frutë i lobimit të partnerëve perëndimorë, u ndalën e filluan të bien. Në Prishtinë nuk arrijnë të dallojnë paaftësinë e elitave të tyre politike, diplomacisë së tyre, por çlirohen duke mallkuar Beogradin. Bllokim total edhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Hakmarrja e Kosovës që dështimeve politike dhe diplomatike mund ti përgjigjej me instrumente ekonomike rezultoi një bumerang. Paaftësia, pamundësia dhe naiviteti i klasës politike në Prishtinë për të kuptuar kontekstin, veç izolimit Kosova rrezikoi të humbte edhe aleatët më të mëdhenj, garancinë për mbijetesë.

Është një periudhë, që tregon se ‘kohët e arta’ për shqiptarët kanë kaluar dhe sinjalet janë për një gjeopolitikë të vështirë. Lufta si vazhdim i politikës ndryshon mjetet por jo aq qëllimet dhe objektivat. Ndërsa shtetet e mëdha e kanë të vështirë të dështojnë të vegjlit e kanë më të vështirë të mbijetojnë. Fuqia e butë, shprehet Joseph Ney, themelues i teorisë neoliberale, e lidhur me ndërvarësinë ekonomike, raportet me aktorët ndërshtetërorë dhe ndërveprimi në çështjet ndërkombëtare nën kornizën e veprimeve të sinkronizuara, pa shkurajuar fuqinë ushtarake mbetet edhe për Kosovën dhe mbarë shqiptarët e vetmja rrugë e mbijetesës dhe suksesit.

Kristaq Xharo:, Ish kolonel, Profesor për Çështjet Ndërkombëtare të Strategjisë në UET /Gazeta Liberale