Nga kriza ekonomike mund të dilet duke larguar Ramën

VEHAP KOLA

Ekonomia shqiptare nuk prodhoi asnjë surprizë. Shqipëria shkoi aty ku ekspertët dhe opozita e kishin paralajmëruar, në krizë ekonomike. Natyrisht, këtë krizë e përshpejtoi ardhja e COVID-19, por herët e vonë kjo humnerë do të arrihej. Për këtë nuk mund të bëhet me faj një sëmundje që u përhap në shkallë globale, por vendimet e papërgjegjshme të qeverisë Rama, e cila, ndryshe nga të gjithë vendet e botës demokratike, nuk ndihmoi qytetarët që të ruanin konsumin, por ua dha paratë drejtpërdrejt oligarkëve. Garancia sovrane e ofruar për biznesi ka shkuar sot në xhepat e vetëm 10 oligarkëve. Paratë e buxhetit të shtetit kanë ndihmuar pronarët e inceneratorëve të marrin kredi.

Sot, rezultati i kësaj sjelljeje ekonomike është rënia e PBB-së me 1.8 mld euro, një rënie sa 8.4% e PBB-së për vetëm 4 muaj. Këtë humbje shqiptarët nuk do ta ndajnë njësoj. Ata që do të paguajnë pjesën dërrmuese të këtij varfërimi janë pikërisht të varfrit dhe shtresa e mesme. Oligarkët, përkundrazi, do të lulëzojnë, si në çdo krizë ekonomike, me paratë shtesë që Rama ka vënë si garanci që ata të marrin kredi. Për buxhetin mujor të shqiptarit të thjeshtë, buxheti i Ramës nuk ka asnjë garanci.

Në një paraqitje të fundit për mediat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë lajmëroi humbjen e 17 mijë vendeve të punës. Sa të besueshme janë këto shifra, mund të merret me mend duke pasur parasysh sa e pavarur nga qeveria është sot Banka e Shqipërisë. Por në këtë shifër nuk përfshihen humbjet e vendeve të punës informale në sektorin e shitjeve me pakicë, shërbimeve dhe bujqësi. Megjithëse opozita këmbënguli që ndihma nga buxheti të ishte edhe në favor të formalizimit, Kryeministri me arrogancë e refuzoi këtë kërkesë. Ai nuk ngurroi as të këmbëngulte në gënjeshtrën se jemi shteti që po ndihmojmë më shumë se çdo vend tjetër në Ballkan.

Pasojat e kësaj gënjeshtre lexohen sot në mbi 10 mijë biznese të mbyllura, sikundër tingëllojnë të vërteta thirrjet e opozitës dhe ekspertëve që mbi 50 biznese në ditë mbyllin qepenat për të mos i hapur kurrë. Nëse 50 biznese shqiptare mbyllin qepenat në kulmin e sezonit turistik, sa do të jetë numri i dyqaneve, punishteve, zyrave të këshillimit dhe njësive të shërbimit që do të falimentojnë në vjeshtë? Sa mijëra shqiptarë do të kenë humbur vendet e punës deri në fund të këtij viti?

Është koha të pyesim: ku po shkon ekonomia? Rënia ekonomike, sipas BERZH, pritet të jetë 9% e PBB-së. Qeveria Rama vendosi të ishte dorështrënguar ndaj ekonomisë së 95 % të shqiptarëve. Ajo vuri në dispozicion si ndihmë ekonomike gjatë pandemisë nivelin më të ulët të fondeve në rajon: 0.86% të PBB-së. Ndërkohë, ajo mori borxh 600 milionë euro dhe e çoi borxhin publik në nivelin më të lartë të 20 viteve të fundit, në 80% të PBB-së. Ku shkuan këto para? A mos u shtuan investimet dhe fondet mbështetëse për shëndetësinë? A mos u anulua ndonjë PPP? Fatkeqësisht, jo! Në mesin e kësaj tatëpjete të ekonomisë, Rama dhe Balluku na prezantuan një projekt të florinjtë prej 1.2 miliardë eurosh për rrugën Milot-Fier.

Por, nëse sot, në mes të kësaj krize të thellë të ekonomisë, Rama nuk bën asnjë përpjekje të ndihmojë familjet dhe sipërmarrjet t’ia dalin, kjo është provë se ai nuk e ka vrarë mendjen për ekonominë asnjë ditë nga shtatë vitet e tij në pushtet. Fatkeqësisht, një krizë e thellë konsumi që do të ndihet edhe më shumë këtë vit dhe vitin e ardhshëm (sipas EUROBAROMETR-it). Ngulmimi i tij për të mos dhënë asnjë kacidhe për biznesin dhe mungesa e një plani nga ana e tij për daljen nga kriza e parathonë qartë se mijëra shqiptarë do të humbasin punën, mijëra të tjerë do të mbyllin qepenat dhe do të bien në varfëri, që sipas Bankës Botërore pritet të mbërrijë nivelet e vitit 2005.

Ndryshe nga sa thotë propaganda e pushtetit, paratë publike po injektohen në firmat fantazmë që marrin PPP-të dhe pasurojnë një grusht njerëzish. Oligarkëve po u ofrohen troje dhe skema shpëtimi pa kufizim. Kuvendi po miraton ligje tërësisht në shërbim të tyre dhe nënkontraktorëve të tyre, duke lartësuar murin ndarës mes ekonomisë së njerëzve të thjeshtë dhe sipërmarrësve të vegjël e të mesëm në njërin krah dhe ekonomisë oligarkike në krahun tjetër.

Ky mur që ngrihet dhe përforcohet rrezikon ta shndërrojë Shqipërinë në një Kore të Veriut, që nuk prodhon kurrgjë veç propagandës së një pushtetari dashakeqës, pasurimit të një grushti njerëzish dhe falimentimit të bizneseve familjare. Kjo është qartazi rruga e humnerës, e paralajmëruar nga opozita dhe fatkeqësisht e provuar nga shqiptarët.

Kriza ka hyrë. Rrugëzgjidhja është të dalim nga qerthulli dhe kriza ekonomike. Dhe që kjo të jetë e mundur, Rama dhe regjimi i tij duhet të shkojnë.

more recommended stories

loading...