Kë ka promovuar Basha? Gazmend Bardhi: Unë jam një prej tyre

“Kemi kryer programin elektoral dhe po ndërtojmë ekipin me të cilin do të kërkojmë besimin e shqiptarëve”. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi për Çim Peka Live.

Por moderatori Peka insistoi për të mësuar se përse PD nuk është e pranishme në debatet e mbrëmjes në media.

“Pjesa dërrmuese e medieve në vend kontrollohet nga qeveria,” tha Bardhi.

“Nuk ka drejtues emisioni, qoftë edhe në ERTV, që nuk ua jep hapësirën nëse ju jeni dinamikë,” tha Peka.

“Ne nuk refuzojmë debatin. Ne nuk kemi qenë në shtëpi, kemi shfrytëzuar çdo hapësirë mediatike që ne gjykojmë se kanë interes për opinionin publik”, tha Bardhi.

“Nëse edhe gjashtë muaj përpara zgjedhjeve, nuk jeni në gjendje të impononi axhendën politike dhe mediatike, nuk është faji i kundërshtarit,” deklaroi moderatori Peka.

Bardhi u ankua se qeveria kontrollon shumicën e medieve, madje akuzoi se Top Channel censuron deklaratat e PD.

“Kush janë pesë emra nga PD për t’u përballur profesionalisht me ministrat e Ramës?” pyeti Peka.

“Mund të siguroj që mund të nxjerrim figura shumë më profesioniste se ministrat e Ramës,” tha Bardhi pa dhënë emra. “Niveli i kabinetit qeveritar të PD, kur ka qeverisur ajo, ka qenë dhjetë herë më cilësor se kabineti i Ramës”.

“Kush janë njerëzit që ka promovuar Lulzim Basha?” vijoi Peka.

“Unë jam një prej tyre, sikundër ka edhe kolegë të tjerë. Unë jam zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm në kohën e tij dhe jam prurje e re. Si unë ka edhe shumë të tjera në PD”, tha Bardhi.

Ai theksoi se nuk ka një strategji për profilizimin e Bashës. “Kryetari tërheq gjithmonë vëmendjen,” tha ai.