Astrit Lulushi – Pasqyrime lashtësie

Astrit Lulushi

Njeriu kurrë nuk është i plotë, gjithmonë i mungon diçka. Por mjafton të ketë pranë një libër, një vëllim të Homerit, për shembull, dhe të ndjehet i përmbushur. Aty rapsodi përshkruan 10 vite luftë e 10 vite paqe, ose çfarë nuk duhej të kishte ndodhur që disa heronj të mos provonin fundin e hidhur të rrugës së kthimit.
Por nëse të gjithë njerëzit do të jetonin thjeshtë, të panjohura do të ishin edhe vjedhjet, grabitjet e korrupsioni. Këto ndodhin vetëm në komunitete ku disa kanë marrë më shumë sesa është e mjaftueshme, ndërsa të tjerët nuk kanë mjaft – “Ju që drejtoni punët publike, çfarë nevoje keni për të zbatuar ndëshkime? Duajeni virtytin dhe njerëzit do të jenë të virtytshëm. Virtytet e një njeriu superior janë si era; virtytet e një njeriu të zakonshëm janë si bari – bari, kur era kalon mbi të, përkulet”, kështu thotë një shprehje homerike.
Poezia dhe mitologjia antike sugjerojnë, se puna ishte dikur art prandaj nuk duhej bërë me nxitim, a shkel-e-shko. Sot, synimi nuk është puna, as arti, por mjafton që prej tyre njeriu të sigurojë të ardhura të shumta.
Asnjë nga ne nuk është i lirë, për sa i përket tokës, pronës, ose pasurisë; kryesisht, peizazhi është deformuar. Njeriu e njeh Natyrën, hynë në të’, por si vjedhës, jo si mik. “Terre e Cere” thonin romakët e lashtë për “Tokë e Korrje”, ku dielli kalonte në fushat, në kodra dhe pyjet pa asnjë dallim; të gjithë pasqyronin dhe thithnin rrezet e tij njësoj; toka kultivohej në të njëjtën mënyrë si një kopsht; prandaj drita dhe nxehtësia e diellit duheshin marrë, si me besim edhe me madhështi, njësoj.