Ermal Hasimja: Tarja, armiqt e komunizmit i shpall armiq të Kombit

Nga Ermal Hasimja

E lexova (me zor) shkrimin e Auron Tares për Camajn e Koliqin konsideruar prej tij si “mite të rreme”.
Është tekst i përkryer për t’u ilustruar nxënësve të gjimnazit abuzimin me logjikën. Dhe si të tillë do ta përdor kur të më jepet rasti. Autori ngre një pyetje aluduese në një paragraf, ndërsa në pasardhësin e përdor aludimin e tij si fakt mbi të cilën ngre një tjetër pyetje aluduese që më pas e konsideron prapë si fakt. Dhe kjo është vetëm një nga metodat e përdorura. E kështu me rradhë në një rrokopujë spekulative që i ngjan një thrilleri të mërzitshëm.
Thashë “me zor” sepse e kam të vështirë të përtyp çfarëdo kumti nga Tarja. Në një emision debati që na vuri përballë u përpoq të mbronte me këmbëngulje dy qëndrime të pambrojtshme historike, politike e morale në lidhje me kryengritjen antikomuniste të Kelmendit:
1. Shteti komunist shqiptar ishte legjitim sepse shqiptarët e kishin votuar. (Nuk e di a ka mbetur ndonjë njeri pa e marrë vesh se si komunistët i morën me terror zgjedhjet e 1945’s?!) Tarja natyrisht e di, por e kishte merak të legjitimonte komunizmin.
2. Shteti komunist shqiptar ua bëri mirë kryengritësve (është fjala për masakra, pushkatime, djegie fshatrash, plaçkitje: të gjitha edhe ndaj civilëve e jo vetëm ndaj kryengritësve) sepse u ngritën kundër shtetit “legjitim” komunist të Tares.
Në mungesë ngeje e dëshire për t’u marrë me shkrimin në fjalë, ky “debat” i stisur kot më grish gjithsesi drejt një konstatimi psiko-social më të përgjithshëm.
Ka plot njerëz që kanë një nostalgji paradoksale për komunizmin. Ajo i bën të barazojnë armiqtë e komunizmit me armiq të kombit. Them paradoksale sepse nuk u ha barku për tollonat e komunizmit dhe gatimin në furnelë vajguri në hale, por për statusin që kanë patur ose mund të kishin patur e mbi të gjitha për faktin që në batakun komunist ishin kapot social-kulturorë të lagerit kolektiv ku jetonim.
Kjo përputhet mjaftueshëm me një teori tjetër që deri vonë e shihja me dyshim: atë të bijve të etërve komunistë që rikthejnë në duart dinastike pushtetin. Vetëm se “bijtë” gjenetikë ose shpirtërorë të etërve komunistë nuk duan ekonominë dhe kulturën socialiste, por një feudalizim kulturor e ekonomik të vendit: shkurt pushtetin, por jo pasojat e tij. Kjo kalon përmes normalizimit e legjitimimit të komunizmit, regjimit totalitar më barbar që ka njohur njerëzimi. Çdo figurë që u bezdis normalizimin në fjalë do t’u përshfaqet natyrshëm si armik.
T’u mbrosh Camajn e Koliqin shqiptarëve më duket e panevojshme, madje fyese. Dhe nuk do ta bëj. Thjesht sa herë i rilexoj më shijojnë edhe më shumë sesa kur i lexoja adoleshent, sepse tani e di se hija e tyre kolosale u ze diellin komunistëve dhe legjitimuesve të tyre.