Av. Altin Goxhaj: Me Teatrin Kombëtar ka ndodhur krim, edhe prokurori më i paaftë e fiton. Veliaj e ekzekutoi…

Qendra e Tiranës tashmë po rrethohet në kulla shumëkatëshe. Pas shembjes së Teatrit Kombëtar, edhe Kulla e Sahatit që shërben dhe si dhuratë simbolike për të ftuarit specialë, shumë shpejt do të mposhtet nga një tjetër qiellgërvishtëse që ka nisur të ndërtohet ngjitur.

Avokati dhe aktivisti, Altin Goxhaj, thotë se këtij qyteti po i zhduket historia. Në një intervistë për Ora News me gazetarin Elio Laze, Goxhaj thekson se kjo është një punë e një bande që ka ndërmend të shfarosë nga memoria jonë historike ekzistencën tonë si komb.

Altin Goxhaj: Figura e re e këtij qyteti është vinçi. Këtij qyteti po i zhduket figura e vjetër. Brenda dy vitesh nuk do të jetë më kjo figurë. Ky qytet i ri ka si synim që të zhdukë Tiranën historike. Kjo është një punë e një bande që ka ndërmend të shfarosë nga memoria jonë historike ekzistencën tonë si komb. Këtë po e bëjnë me faza të ndryshme. Këtë po e bëjnë edhe duke ndryshuar memorien historike të Tiranës.

Për Goxhaj, historia po përsëritet ndërsa gjithë këtë plan e sheh si pjesë të një axhende për shpopullimin e Shqipërisë.

Altin Goxhaj: Në 1944 ekzistonte kjo histori, kur filluan të prishen kisha e xhamia filloi të prishet pak e nga pak. Komunistët filluan ta zhdukin këtë histori, filloi të rishkruhet pas viteve ’90. Ku ka parë Europa një kishë dhe xhami kaq afër?Është bërë në 1800, është simbolika më e bukur që ka populli shqiptar, kisha dhe xhamia bashkë. Kisha e ndërtuar nga një familje myslimane.Kishte një histori të harmonisë fetare, erdhën komunistët dhe zhdukën këtë histori. Ka pësuar disa rikonstruksione si Sahat.Komunistët erdhën prapë dhe duan të zhdukin të gjithë memorien historike. Pse e bëjnë? Nëse vi në një qytet që nuk ka asgjë nga e shkuara ime çfarë arsyesh më pengojnë të iki nga ky qytet. Rrënjët janë historia personale, farefisi, lidhjet që ke me memorien tënde. Këta po zhdukin çdo gjë që më bëjnë mua të kuptoj që jam në qytetin tim. Unë jam një qytetar alien, nuk jam më në qytetin tim.Kjo është pjesë e një axhende e shpopullimit të Shqipërisë.

Ai akuzon kreun e Bashkisë së Tiranës për prishjen e Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar një krim të përmasave historike.

Si jurist, Goxhaj thotë se edhe prokurori më i paaftë e fiton këtë gjyq për shkak të shkeljeve ligjore e proceduriale që janë kryer.

Altin Goxhaj: Me Teatrin Kombëtar juridikisht ka ndodhur krim që edhe prokurori më i pashkolluar e fiton gjyqin duke i futur në burg të gjithë që janë përzier në këtë çështje. Procedura e prishjes është e paligjshme. Nuk kemi të bëjmë me procedurë shpronësimi, kemi të bëjmë me procedurë prishje. Cili është interesi publik që në kulmin e pandemisë shkon prish tetarin brenda natës dhe nuk ke asnjë projekt? Nuk kishte arsye të interesit publik për tu prishur me çdo kusht. Kemi të bëjmë me shkelje proceduriale, në rastin më të lehtë është shpërdorimi i detyrës 7 vjet burg. Kthehemi te dëmi real. A është ky një krim i rëndë? Nëse kemi të bëjmë me objekt të një rëndësie historike, ke kryer një krim me përmasa historike. Krimi përfshin shumë palë por i pari i kësaj historie është Erion Veliaj. Nuk kam parë asnjë vendim të Këshillit Bashkiak që thotë me 17 maj do të prishet Teatri.Personi që ka ekzekutuar krimin është Erion Veliaj.