Sondazhi si alibi

REDAKSIONALE

Në vitin 2017 një sondazh i dalë nga zyrat e HIDRA inskenoi një konspiracion të denjë për botën e tretë. Sipas sondazhit të paguar më $ Reforma në Drejtësi me gjithë kompleksitetin e saj ishte tejet e kuptueshme për qytetarët në zonat rurale dhe ato urbane të Shqipërisë.

Gjithashtu i njëjti sondazh i shkëputur dhe me copëza shkoi në zyrën e kryetarit të PD-së për t’i thënë atij se PD ishte forca që shihej si më e korruptuar se pas gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Një nga kushtet e gënjeshtrës është se ajo mendon tani për tani pa e vrarë mendjen për të ardhmen. Rëndësi ka manipulimi i të sotmes pa e vrarë mendjen për nesër.

Kështu tre vjet pas këtij sondazhi të gjithë e dimë se realiteti është tjetërsoj. Reforma në Drejtësi është në një krizë të thellë dhe asnjë qytetar me shkollë magjistrature, jo më ato pa shkollë, nuk di t’i japë drejtim nyjës gordiane të asaj reforme.
Por, si një alibi e domosdoshme dhe tejet jetike, mjeshtri rikthen në lojë të njëjtin institucion të cilin tanimë ua ka vendosur në shërbim të ashtuquajturës opozitë parlamentare. Pasi çdo shqiptar me mend në kokë e ka të qartë që kurrë nuk do të votonte deputetë të tillë, Rama me qëllimin për të prishur paktin ndërsa hiqet sikur e do, ka ingranuar humbësit e vërtetë për të përdorur sondazhe që i përpunon vetë.
Nuk është diçka e re për Ramën sjellja prej hipokriti apo skuthi politik. Që në Berlin dhe Uashington dërgon mesazhe përpjekjeje ndërkohë që përditë zhbën arritjet dhe pikat e arritura me aq mund. Me gjasë veten e mendon si Penelopa që pret Uliksin e saj ndërsa zhbën pëlhurën për të shtyrë kohën. Pa kuptuar që po shkurton në të vërtetë këmbët e tij me gënjeshtrat që lëshon.
Edhe një herë, gënjeshtra është një rreng i tani për tanishëm. Vjen një ditë, që si përralla e ujkut, askush nuk do të besojë më atë. Fatkeqësisht për të, asnjë kulturë në perëndim apo lindje nuk ka vlerësim për gënjeshtarët dhe as për gënjeshtrën. Ajo është gjithkund e përçmuar dhe gënjeshtarët kanë përherë një fund të hidhur, si në përrallat me qeros, ashtu dhe në ato me Hans apo legjendat Indisë së Kolombit.