Shqipëria han pa porta. Regjistrohen 611 grupime fetare, mes tyre edhe grupe okulte sataniste


Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi në fillim të muajit qershor 2020, raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Shqipëria

Raporti sërish nënvizon se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Qeveria ka marrëveshje të veçanta me komunitetet fetare dhe ligji përcakton që qeveria do të japë mbështetje financiare për to. Por marrëveshja e qeverisë me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare (VUSH) sipas ligjit nuk e përcakton në mënyrë të qartë atë që të marrë një mbështetje të tillë, dhe me gjithë raportimin e VUSH-it qeveria nuk ndau fonde.

Qeveria, thuhet në raport, legalizoi gjatë vitit, 135 ndërtesa, pronë e grupeve fetare, ndryshe nga viti 2018 kur ishin legalizuar 105 syresh, ndërsa statusi i 11 pronave të tjera është në shqyrtim e sipër.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 3.1 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011 myslimanët suni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind. Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare. Regjistrimi i ardhshëm bëhet në vitin 2021.

Shkollat publike janë sekulare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare. Bashkësitë fetare drejtojnë 114 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore. Shumica e tyre nuk kanë lëndë të detyrueshme të fesë, por i ofrojnë ato si zgjedhore

Qeveria ka vazhduar procesin e legalizimit të xhamive jozyrtare, kishave katolike e ortodokse dhe teqeve te bektashinjve të ndërtuara gjatë viteve të 90-ta. Agjencia e legalizimeve tha se deri në muajin shtator legalizoi 135 ndërtesa fetare, përfshirë 4 kisha katolike, 71 xhami, 12 kisha ortodokse dhe 48 teqe.

Komunitetet katolike, islame dhe ortodokse thonë se mbështetja financiare nga qeveria është 109 milion lek, afërisht 1.2 milion dollarë, njësoj që nga viti 2015.

Komisioni Shtetëror për Regjistrimin organizatave fetare, numëroi 611 grupe, duke përfshirë 248 fondacione, 323 Organizata Joqeveritare dhe 40 qendra që lidhen me besimet.

Në qershor, zyra e Presidentit dhe ambasada e Holandës, organizuan një konferencë ndërkombëtare mbi dialogun ndërfetar në Tiranë që trajtoi harmoninë ndërfetare si një faktor për qëndrueshmërinë shoqërore dhe politikat për menaxhimin e larushisë fetare. Në fjalën e tij, presidenti Ilir Meta tha se ai ishte krenar me “bashkëjetesën dhe harmoninë e bashkësive fetare”.

Në konferencën rajonale të muajit nëntori për avancimin e lirisë fetare, ambasadori amerikan për Liritë Fetare, u foli pjesëmarrësve për besimin si një mjet pajtimi, dha intervista për rëndësinë e lirisë fetare në Shqipëri dhe vizitoi vendet fetare në pjesën veriore të vendit së bashku me drejtuesit e bashkësive fetare të vendit.

Fotografia e Bledi Mane