Ministrja Balluku përgënjështron vetë Edi Ramën për rrugën e Arbrit


Edit Nikolli

Kryeministri Edi Rama, më 15 qershor, përmes një postimi në facebook, njoftoi se brenda po atij muaji do përfundonte asfaltimi i 10 kilometrave të parë të rrugës së Arbrit, ndërsa projekti në tërësi, pritet të përfundojë brenda verës së vitit 2021. “Faktoje”, me një “kërkesë për informacion” pyeti në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila konfirmon se 10 kilometrat e parë ende nuk janë asfaltuar dhe ky proces pritet të përfundojë brenda muajit korrik.


Më 15 qershor, kryeministri Rama postoi një video në profilin e tij në facebook nga ku njoftoi se brenda muajit do të përfundonte asfaltimi i 10 kilometrave të parë të rrugës së Arbrit.

Brenda muajit do të asfaltohen 10 km të para. 500 punonjës dhe mbi 200 mjete të tonazhit të rëndë janë angazhuar në këtë proces. Rruga e Arbrit pritet të jetë e aksesueshme brenda verës së vitit 2021“- shkroi kryeministri Rama.

“Faktoje” më datë 29 qershor i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ku interesohej nëse kishte përfunduar ky proces, sipas afatit të vendosur nga kryeministri.


Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dha këtë përgjigje:

Punimet për asfaltim kanë nisur në segmente të ndryshme të Rrugës së Arbrit, pritet të asfaltohen 10 km deri në fund të muajit korrik dhe 20 km deri në fillim të vjeshtës.


Përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Përgjigjja e Ministrisë së Transporteve rrëzon deklaratën e kryeministrit për asfaltimin brenda qershorit të 10 kilometrave të para të rrugës së Arbrit.

Rruga e Arbrit, me gjatësi mbi 70 kilometër, e cila lidh Tiranën me Maqedoninë, nëpërmjet Dibrës, nisi si ide në vitin 2008. Për shkak se të gjitha studimet e nxorën rrugën jo fizibël, qeveria nisi ndërtimin e saj me fondet e veta, mirëpo kriza e vitit 2008 dhe shpenzimet e larta për Rrugën e Kombit kufizuan mundësitë për të ndërtuar Rrugën e Arbrit, edhe pse disa segmente të saj, rreth 20 kilometra, kanë përfunduar, ndërsa pjesa më e vështirë me tunelet brenda, mbeti e papërfunduar.

Rruga e Arbrit, një nga projektet e dhëna për ndërtim me Partneritet Publik-Privat si pjesë e paketës “1 miliard për rindërtimin”, nisur nga qeveria, aktualisht ka të përfunduar 54 kilometra nga 70 në total dhe pesë tunele. I fundit nga tunelet është ai i Murrizit, ku aktualisht po kërkohet një zgjidhje, pasi zbatimi është kompleks.

Pikërisht, tuneli i Murrizit bëri që rrugës së Arbrit t’i rritej edhe kostoja me gati 46 për qind duke e çuar në 460 milionë euro totalin e investimit. Në muajin korrik 2019, si pasojë e një gabimi inxhinerik, një pjesë e tunelit u shemb.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në një inspektim më 2 gusht 2019 u shpreh se pas investigimeve me mjete, me specialistë, rezulton që rrëshqitja është mbi 60 metër.

Projekti i “Rrugës së Arbrit” u parashikua se do kushtonte 250 milionë euro, por vetëm një vit pasi është firmosur kontrata kostoja e rrugës pothuajse është dyfishuar duke arritur në 460 mln euro.

Deklaratën e kryeministrit Edi Rama, referuar përgjigjes së ministrisë përgjegjëse, MIE, do e kategorizojmë si “Të pavërtetë”. Faktoje.al