Historia përsëritet| E përdorën keq fare, Rilindja e hedh si limon të shtrydhur Dvoranin

Komisionerët e Avokatit të Popullit nuk kanë qenë të vetmit, të cilët nuk janë lejuar në mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Këtë shqetësim e ngriti edhe kryetari i Komisionit të posaçëm të Monitorimit të Ngritjes së Institucioneve të reja të Drejtësisë, Artan Spahiu. Në raportimin e fundit në Komisionin e Ligjeve, pasi puna e tij përfundoi me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, Spahiu shprehu shqetësimet e tij në lidhje me problematikat që kishin hasur me KED-n.

Sipas Spahiut, ndonëse neni 233 i ligjit 115 i autorizonte që të merrnin pjesë në mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, anëtarët e Komisionit të Pavarur, sipas Spahiut, nuk janë lejuar. Komisioni Parlamentar kishte kërkuar shpjegime edhe më herët nga kreu i KED, Ardian Dvorani, por përgjigjja që kishin marrë ishte se ata po zbatonin rregulloren.

“Problematike është paraqitur marrëdhënia me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Në mbledhjet e zhvilluara nga ky organ gjatë vitit 2018 nuk është ftuar asnjëherë Komisioni i Pavarur i Monitorimit të Ngritjes së Institucioneve të Reja të Drejtësisë. Ne i kemi kërkuar informacion kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe sipas përgjigjeve që ai ka sjellë, është shprehur se KED ka zbatuar strikt nenin 288 të ligjit 115, ku parashikohet se mbledhjet janë të mbyllura dhe përfaqësuesit që mund të marrin pjesë në atë mbledhje janë të përcaktuar në mënyrë shteruese. Gjithsesi, në gjykimin e Komisionit të Pavarur, neni 233 i ligjit 115 ishte një dispozitë specifike që rregullon misionin e Komisionit të Pavarur të Monitorimit dhe i jepte këtij të fundit autoritetin për të monitoruar çdo proces në funksion të ligjit 115. Ndonëse në institucionet e tjera pas rekomandimeve është reflektuar, në këtë institucion e kemi pasur të pamundur pjesëmarrjen”, u shpreh kryetari i Komisionit të Pavarur në Parlament, Artan Spahiu.Ardian Dvorani sot pas daljes nga prokuroria pas kallezimit penal te Presidentit Meta (5)

Këtë cedim të kryetarit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, e ka pranuar edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Ky i fundit tha se KED-it i janë bërë rekomandimet përkatëse dhe adresimi i tyre do të ndiqet nga Komisioni i Ligjeve.

“Po, është e vërtetë. Lidhur me burimet e përdorura nga komisioni në hartimin dhe miratimin e raporteve, ka pasur një problematikë me KED dhe ka buruar nga interpretimi jo i duhur i nenit 233 në lidhje me pjesëmarrjen e komisionin të pavarur në mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në fakt, rregullorja nuk shkon në frymën e nenit 233 sa i përket pjesëmarrjes në mbledhjet e KED-it. Dhe ky rekomandim që ka bërë Komisioni i Pavarur është lënë si detyrë për t’u reflektuar në rregulloren e KED-it, pas ardhjes së opinionit të Komisionit të Venecias”, tha Manja.

VENECIA

Duke theksuar rëndësinë që kanë rekomandimet e bëra nga Komisioni i monitorimit të Ngritjes së Institucioneve të Reja të Drejtësisë, deputeti socialist apeloi që rekomandimet e bëra nga komisioni i drejtuar nga z. Spahiu të adresohen pa qenë vonë.

“Ky komision, me z. Spahiu, z, Visha, z. Rusmaili etj., ka bërë një punë të shkëlqyer. Raportet e këtij komisioni kanë qenë pikë reference e VENECIAS. Ndaj, do të ishte në nderin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë që rekomandimet që janë në proces, një orë e më parë të ulen e t’i bëjnë pjesë të diskutimeve të tyre. Kur them sa nuk është vonë, që të mos kujtohen për këto rekomandime për zbatimin e ligjit kur t’u kthehen, pasi problematika të bëhet pjesë e diskursit politik”, tha Manja