Edi Rama fiks fare si Ismail Qemali| Ja memorandumi i 15 shqiptarëve të njohur për kryeministrin

(Memorandum drejtuar Ismail Qemalit në shtator 1913 nga 15 shqiptarë të njohur 107 vjet më parë).

Të nënshkruarit, duke parë gjendjen e Shqipërisë, po guxojmë të paraqitim qeverisë shënimet e mëposhtme:
1. Të ardhurat e shtetit duhet të përdoren për gjërat e nevojshme, duke bërë më të madhen ekonomi në të prishurat e padobishme. Për fat të keq dhe me shumë hidhërim po shohim dhe dëgjojmë se deri tani rrogat në qeveri janë tepër të larta, dhe ka shumë nëpunës të panevojshëm, si këshilltarë të zyrtarëve etj., punë që e dobësojnë Shqipërinë, duke prishur të hollat me një mënyrë fare të padobishme. Trazimi dhe keqpërdorja e financave janë shënuar lehtë në këtë qeveri, por s’është dashur të merren masa, dhe të hollat po jepen pa masë në gjëra të panevojshme, në vend që të rregullohet puna e arsimit, çështja e studentëve dhe e rrugëve. Po në këtë mënyrë dhe pa ndonjë rregull u bë edhe shitja e të dhjetave.
2. Qeveria e tanishme sot për sot asnjë koncesion të mos japë dhe asnjë hua të mos merret, që të mos rëndojë qeverinë e mëpasme.
3. Kushti i parë i sigurisë është drejtësia, por për fat të keq, ajo është shumë herë nën ndikimin e njërit a të tjetrit dhe ka humbur pavarësinë. Kemi parë njerëz të nxjerrë nga burgu me një copë pusullë, dhe fajtorët t’i lënë të lirë, duke shkelur me këmbë vlerën e ligjit.
4. Ka 10 muaj, që filloi pavarësia jonë, dhe asnjë hap nuk është bërë për formimin e xhandarmërisë dhe të policisë, por përkundrazi, duke patur oficerë kaq të mirë dhe të ndershëm, oficerë të rinj janë bërë njerëz, që nuk kanë patur asnjë marrëdhënie me ushtrinë. Duhet të qërohen të tillë oficerë dhe puna e policisë dhe xhandarmërisë të besohet në duar të ndershme e të stërvitura.
5. Nëpunësit e shtetit, të mëdhenj e të vegjël, duhet të jenë zgjedhur prej njerëz me nder, me dituri dhe të zotër. Për fat të keq, shumë nëpunës janë bërë vetëm nga shkaku i hatërit dhe tarafit, dhe pa patur asnjë vlerë. Kështu po ulet nderi i qeverisë dhe shfaqet rreziku i anarkisë. Me hidhërim shihet që, edhe pse kaluan 10 muaj, gjuha shqipe nuk përdoret thuajse aspak në zyrat e qeverisë, dhe shumica e nëpunësve nuk dinë fare shqip as të shkruajnë e as të këndojnë.
6. Me hidhërim themi se ministritë i lënë punët përgjysmë dhe nuk mbarojnë detyrat, sepse nuk është vënë aspak rregull në funksionimin dhe përgjegjësitë e çdo ministrie, sepse në punët e një ministrie përzjehet një ministër tjetër.
Këto janë disa nga pikat që guxojmë të paraqesim, dhe këto kemi shumë shembuj për t’i vërtetuar. E shohim si një detyrë vetëdije që t’i heqim vërejtjen qeverisë tonë, aq më shumë se qeveria është larg kontrollit të parlamentit, që duhej ngritur si mëkëmbës i Kuvendit të Vlorës.Ne jemi zëdhënës të një shumice njerëzish, që presim lulëzimin dhe përparimin e mëmëdheut, por shohim dhe gjykojmë fort mirë gjendjen kritike të sotme dhe rrezikun, që rrethon kombin dhe vendin tonë.

Me nder, Midhat Frashëri, Abdul Ypi, Memdu Zavalani, Mihal Grameno, Grigor M. Cilka, Sait Qemal (kanina, Themistokli Gërmenji, Idhomene Kosturi, Nexhati Libohova, Nexhati Libohova, Stavre Karoli, Izet Zavalani, G. Zografi, Veli Klisura, Faik Deshnica, Hasan Xh. Gjinokastra. (Revista Xgjimi, Nr.2, Nëntor 1913, faqe 72 – 74).