Astrit Lulushi – Detet tona

Astrit Lulushi

Disa civilizime të lashta përdornin shprehjen “shtatë dete” për të përshkruar trupat e ujit të njohur në atë kohë. Romakët e lashtë i quanin lagunat e ndara nga deti afër Venecisë “maria septeme” ose shtatë detet. Burimet sot thonë se “shtatë dete” i referohen Oqeanit Indian, Detit të Zi, Detit Kaspik, Detit të Kuq, Gjirit Persik, Detit Mesdhe dhe Detit Adriatik. Jo të gjithë pajtohen me këtë listë, duke besuar se referenca e shtatë deteve ndryshon në varësi të periudhave kohore.
Origjina e emrit Adriatik lidhet me vendbanimin etrusk Adria, i cili rrjedh nga emri ilir ‘adur’ që do të thotë ujë ose det. Një emër tjetër i përdorur në periudhën ilire ishte deti Dalmat, i aplikuar në ujërat në brigjet e Dalmacisë ose Ilirisë.
Deti Jon, që nuk përmendet mes shtatë deteve, mendohet se është zgjatim i detit Adriatik. Etimologjia e tij cilësohet si e panjohur, megjithëse çdo njohës i shqipes e quan atë shqip – Deti i Jonë. Shkrimtarët e lashtë grekë, veçanërisht Eskili, e lidhin Jonin me mitin e Io-s. Në Greqinë e Lashtë, mbiemri Ionios përdorej si epitet për detin sepse Io e kaloi atë me not. Kjo mund të ketë ndodhur diku midis Vlorës dhe Otrantos, ku distanca mes dy brigjeve është më e vogël, dhe ku me sa duket detet ndalen. Por meqënëse është mit, Ios mund të jetë futur në det edhe pak më në jug. Sipas Fjalorit Klasik të Oksfordit, emri mund të rrjedh nga jonasit që lundruan nga brigjet ilire në Perëndim. Sipas një versioni, Ionius ishte bir i Adrias; sipas një tjetri, Ioni ishte bir i Dyrrhachut. Kur Dyrrhachu u sulmua, vëllai i tij, Herkuli, i shkoi në ndihmë, por në luftë heroi vrau gabimisht djalin e vëllait. Trupi u hodh në ujë dhe pas kësaj u quajt Deti Ion ose i Jonë – pse jo të dy detet në një, Deti Adrijon a Detet Tona.