Ardit Gjinali – Hapja dhe Liria

Nga Ardit Gjinali

Rrokopuja regresive e ansamblit rilindës vijon të prekë çdo qelizë të shoqërisë shqiptare duke zgjatur agoninë e një sëmundjeje qeverisëse që ka prekur të gjithë shoqerinë. Metastazat e së keqes qëndrojnë në trupin e shoqërisë dhe kërkojnë të krijojnë imunitetin e tyre patologjik përmes vijimit të dobësimit dhe shkatërrimit të çdo nervi të reagimit shoqëror. Përpjekje e ethshme, e vazhdueshme, e pakursyer e së keqes për të ndjellur dhe shtrirë të keqen me qëllimin e vetëm për ta bërë keq e më keq….për ta bërë Shqipërinë të pajetueshme duke perdorur hapësirat e lëvizjes së lirë si një instrument për inkurajimin e largimeve nga vendi. Pak ditë më parë kujtuam “2 Korrikun” , por në një kontekst tjetër “2 Korriku” është evokuar nga keqqeverisja që ka zbrazur çdo ditë Shqipërinë. “ 2 Korriku” i sotëm, i pak ditëve më parë të 2020-s vijon të tingëllojë me të njejtin aktualitet që mbart dramën që buron nga realiteti i trishtë i sotëm që kërkon të imponojë humbjen e shpresës për të nesërmen.Togfjalëshi i neveritshëm “Po vjen era shtet” i sponsorizuar nga skutat banale të propagandës qeveritare ka rënë; i fundit i asaj fjalie….”.shteti” nuk është, dhe ka mbetur vetëm “era”…që kutërbon një enumeracion negativ paaftësie,  papërgjegjshmërie, dritëshkurtësie, shurdhërie,  arrogance, medikrioteti dhe paligjshmërie.Këto 7 vite janë pasqyra e qeverisjes që dëshmon Shqipërinë e pajetueshme, të shanseve të munguara, të lirive të cënuara; Shqiperinë e mbyllur dhe të rrethuar nga qerthulli i një qeverie aspak të hapur që imponon një Shqiperi jo të lirë. Shqipëria e mbyllur e ditëve të sotme në kushtet e lirive të kufizuara dhe me vullnet negativ në formën e turravrapit drejt lirive tërësisht të munguara e ka thelbësisht të domosdoshme hapjen që parathotë lirinë .
Lideri i Partisë Demokratike dhe i Opozitës së Bashkuar, zoti BASHA ka shpallur nismën e hapjes, hapje e cila qëndron  në themel të alternativës së sotme për mirëqeverisjen e nesërme; hapje që dëshmon vullnetin për një qeverisje njerëzore që ka në qendër qytetarin; qeverisje që nuk prodhon një rotacion pushteti të thjeshtë mekanik. Qëndrimet dhe propozimet e arsyeshme në periudhën post- tërmet, propozimet e vazhdueshme racionale gjatë periudhës së karantimit dhe pandemisë, zëri i ekspertizës i artikuluar me ndërgjegje të lartë profesionale dhe qeverisëse në periudhën aktuale të pas-karantinës, takimet e njëpasnjëshme me qytetarë dhe grupe interesi, dëgjimi dhe adresimi i problematikave thelbësore të çdo kategorie biznesi, parashtrimi i alternativës ekonomike dhe artikulimi i zgjidhjeve në qeverisjen e nesërme përbëjnë disa elementë thelbësorë që tregojnë dimensionin e një politike ndryshe, si garancia për një qeverisje më të mirë.
Hapja është fillimi i ndërtimit të udhës së shpresës, e tilla që nuk mund të mjegullohet nga tentativat e vazhdueshme të pushtetit në ikje; është fillimi i ri për Shqipërinë ndryshe.
Hapja është ftesa për Shqipërinë ndryshe, të orientuar kah vitalizimit të mëtejshëm të demokracisë; e tilla që nuk është vetëm procedurë, por frymë dhe thelb, gjithashtu. Koncepti i hapjes është ftesa për çdo profesionist dhe qytetar të angazhuar që të materializojë angazhimin e tij duke besuar në vizionin e një Shqipërie normale, të jetueshme, me shtet të konsoliduar ligjor, balancë pushtetesh, ekonomi të lirë dhe shanse të barabarta.
Hapja është vizioni i vërtetë për Shqipërinë e dekadës së ardhshme që nuk mund të jetë peng i keqqeverisjes, mashtrimit politik dhe shpresës së vrarë. Mbetet vizioni për rijetësimin e pozicionit shoqëror të klasës së mesme; për zvogëlimin e hendekut të tmerrshëm aktual mes shtresave shoqërore, i tilli që mund të zvogëlohet jo përmes kultivimit të parazitizmit dhe fryrjes së ndasive shoqërore, por përmes krijimit të një hapësire të ndershme të konkurrencës së lirë, trajtimit jo të diferencuar përmes barazisë së shanseve. Hapja dhe liria mbeten dy koncepte të rëndësishme që janë në sinergji me njëra tjetrën ku e dyta nuk mund të jetë e qënësishme pa të parën. Nevoja shoqërore për  hapjen e sotme  nuk mund të jetë thjeshtë antidoti i modelit te mbylljes që përfaqëson ansambli me dirigjent KryeKreun, por  është hapi i duhur që parathotë vendosjen e  standarteve që garantojnë lirinë e së nesërmes.
Shqipëria e lirë nga pushteti i paligjshmërisë është prelud i ditëve më të mira që do ta bëjnë Shqipërinë të jetueshme sërish në kontekstin kombëtar duke përfshirë avancimin e hapave të mëtejshëm të integrimit Europian. Partia Demokratike nën lidershipin e zotit BASHA do të arrijë që ëndrra e Shqipërisë si e gjithë Europa të mos jetë më një endërr, por një realitet. Për hapjen dhe lirinë që do ta bëjnë Shqipërinë të rëndësishme sërish! Ka ende shpresë…….