Dr. Erion Dasho: Një program kompleks kundër Covid-19


Drejtori i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt, Erion Dasho

Që në muajin mars u dha mesazhi se nuk ekziston një masë që e vetme të luftojë COVID-in (masa të tilla, kur ekzistojnë, quhen “magic bullet” në teorinë e shëndetit publik).

Pra, për të qënë e qartë për këdo, mbajtja e maskave nga qytetarët dhe distancimi fizik janë kusht i nevojshëm, por totalisht i pamjaftueshëm për të parandaluar COVID.

Vendet e suksesshme kanë ngritur programe komplekse parandalimi që bazohet tek:

1. Të dhëna të besueshme, të cilat fitohen nga testimi dhe sistemet e avancuara të survejancës epidemiologjike.

2. Burime shkencore dhe të rifreskuara të informacionit, të cilat i analizon një ekip multidisiplinor i mbështetur nga shkencëtarë të dhënash, apo “data scientists”.

3. Mendim i kualifikuar mjeksor, i cili duhet të vijë nga mjekë që mbulojnë të gjithë disiplinat e nevojshme, punojnë në ekip, udhëhiqen nga protokolle dhe evidenca, dhe komunikojnë vazhdimisht me kolegë të komunitetit mjeksor ndërkombëtar.

Bazuar në këto parime duhet të ndërtohet një përgjigje me shumë nivele që përfshin:

1. Spitale dhe qendra shëndetësore të sigurta.

2. Administratë të përgjegjshme (zyra, radha, etj.)

3. Biznese që zbatojnë protokollet e sigurisë në punë (sidomos bizneset ku punon një numër i madh personash në mjesise të mbyllura).

4. Mjedise shërbimi të sigurta (supermarket, qendra tregëtare, njësi shërbimi, etj.)

DHE VETËM PASI TË GJITHA KËTO MASA TË JENË ZBATUAR:

5. Komunitete dhe qytetarë të përgjegjshëm, të cilët njohin dhe zbatojnë masat parandaluese në nivel personal, duke mbrojtur veçanërisht të moshuarit dhe personat e prekur nga sëmundje kronike.

6. Shtëpi e sigurt, e cila mundëson një përgjigje të shpejtë ndaj situatave ku një prej pjestarëve të familjes ekspozohet apo preket nga COVID-19.

NUK EKZISTON NJË PLUMB MAGJIK (“MAGIC BULLET”) KUNDËR COVID-19!

PËRGJIGJET E BAZUARA TEK MASA TË VETME DHE TË IZOLUARA JANË TË DESTINUARA TË DËSHTOJNË!

COVID-19 MUND TË PARANDALOHET DHE KONTROLLOHET VETËM ME NJË PËRGJIGJE SHUMË PLANËSHE DHE TË MIRË-KOORDINUAR!