Apolitikët , teza e “sterilitetit” të së ardhme…

Nga Irakli Pina

Një ndër tezat që kanë ngjitur më tepër në masë prej disa vitesh (kryesisht pas zhvillimit të protestës studentore) është padyshim ajo e “apolitikëve” , një sajesë dhe një rreng i bukur për “rininë gri” , pa bindje të caktuara apo të painteresuar për politikën , por edhe një metodë për të “përjashtuar” nga të ashtuquajturat kauza të drejta , të gjithë personat aktivë në jetën publike , duke i mbytur nën thirrjet “jo politikë” …
Ajo çka mbart aromën më të keqe mbi vete , është fakti se një tezë e tillë s’doli befasisht , ajo është rrjedhimi i “narcizmit qeverisës” të nisur me thëniet dhe shprehjet tashmë të bëra tepër bajate e të pështira : “Ne jemi më të mirët” ; “Largohemi ne , kush vjen” etj… që krijojnë domosdoshmërisht një dyzim të opinionit publik , pasi krahas kësaj pune , makineria propagandistike nxit edhe më tej idenë se puna e opozites nuk është e mirë dhe e shoqëron me sulme e ofendime personale që për një masë të caktuar krijon perceptime të gabuara për figura e emra të përveçëm . Një kombinim i tillë është më tepër se fatal për një shoqëri demokratike . Sistemi i krijuar i mbyll qytetarëve të gjitha rrugët institucionale të ankimit , duke qenë brenda shtetit por pa shtet , pa përfaqësim , pa mundësi për të fituar atë çfarë është e drejtë , pa garë të ndershme , pa promovim , pa mbeshtetje iniciativash , por gjithashtu edhe valvulat shkarkuese të irritimit të qytetarëve përbuzen , nëpërkëmben , injorohen , kalohen në heshtje , bojkotohen ose në rastin më të keq , strukturat policore shpërndajnë dhunshëm protestuesit dhe ngjarja merr shumë pak vëmendje …
Por , ajo çfarë e bën më të pisët të gjithë këtë mekanizëm të ngritur për t’i kthyer shqiptaret ndaj politikës dhe për ta lënë rezultatin zgjedhor të varur nga anëtarësitë dhe militantët partiakë , është puna e tmerrshme , monstruoze dhe kriminale ndaj mendjes së të rinjve , duke i kompleksuar të kenë bindje politike , duke i bërë të ndihen keq nëse janë pjesë e një grupimi politik dhe të jenë të ndrojtur të tregojnë hapur bindjen , idealin , qëllimin e tyre . Pikërisht kjo tezë kaq idjote por thellësisht “ngjitëse” shërbeu për shpërberjen e një prej protestave më madhështore që post-komunizmi shqiptar ka parë dhe njëkohësisht është përdorur si etalon e fanar ndriçues për çdo organizim të mëtejshëm , për çdo iniciativë qytetare . Loja është tepër e qartë , pre e saj kanë rënë shumë njerëz , është diçka mirëmenduar dhe e kopsitur , por duhet kuptuar se teza “apolitike” është një tezë sterile , pa vazhdimësi , predikon shterpësinë , cënon rëndë jetën publike dhe i sjell shoqerisë zero të mira e mijëra të zeza .
Në terma praktikë , kjo tezë është boshe pasi së pari ushqehet nga njerëz thellësisht të interesuar për politikën , por që për opinionin publik kamuflohen si individë pa ambicie politike nën sigla , shoqata e fondacione ku shqiponja dhe flamuri janë bërë si letra higjenike njëpërdorimshme dhe thirrjet në emër të “Shqipërisë e shqiptarëve” si ato “në emër të popullit dhe shokëve tanë pionerë” . Tashmë , njerëz të ndryshëm , të panjohur më parë , të paangazhuar por çuditërisht të mbirë nga hiçi në poltikë , hiqen si njerëz “apolitikë” dhe në krahun tjetër paguhen për shërbimet e tyre pikërisht nga pushteti … Njerëz që i sheh në çdo organizim , jo për kauzën , por për t’i bërë “fresk” pushtetit , janë të gatshëm të shoqërohen , të ndalohen , për besë edhe të zvarriten në bulevard për ta berë skenën më të besueshme , por në fund të ditës , kasollja që i mbledh është një dhe e vetme , ajo e pushtetit . Duhet thënë se këta njerëz investohen në politikbërje përmes sulmit në stilin “të të gjithëve por të asnjërit” dhe duan të krijojnë imazhin e të ardhurve nga asgjëja , të mbështetur nga askush , të ngjitur dalngadalë e me meritë por cedojnë në qëndrime , pasi në pesë ofendime , njëri bëhet për të krijuar iluzionin anti-pushtet , katër të tjerët ndaj opozitës për të mbajtur gjallë pikërisht tezën boshe …
Politika është e të gjithëve , çdo gjë është politike , edhe të zgjedhurit janë përfaqësuesit e një grupimi më të madh njerëzish , zëri i masës që përfaqësojne , natyrisht ndaj tyre mund të kemi rezerva , por jo ndaj politikës si koncept , pasi ajo është një ndër gurët e themelit që vendosin fatet e sotme dhe të nesërme , aty merren vendimet për funksionimin ose jo të familjes tonë të madhe e të përbashket , Shqipërisë . Ajo çfarë mua realisht më shqetëson , është raporti i të rinjve me tezën “apolitke” , pasi në këtë linjë shkojmë drejt një steriliteti politik të së ardhmes , që më krijon disa pikëpytje :
– Investimi për të rinj të paangazhuar e të painteresuar për politikën , kujt i shërben ?!
– Përcaktimi i politikës si një “fobi” shoqërore , çfarë dobie i sjell të ardhmes tonë , a pengon kjo “qarkullimin e elitave” dhe përsëritjen e të njëjtëve njerëz në pozicione drejtuese ?!
– Nëse të gjithë bëhemi “apolitikë” , politikën në të ardhmen kush do ta drejtojë ?!