Apolitizmi është streha e fundit e maskarenjve

Nga Marlin Muça

Kur kuksianet dogjën klonin e rilindur te koncesionarit, Ata na ndanë në barbarë e fisnikë. Kur banorë e Astirit mbrojtën me të drejtë shtëpitë e tyre, Ata na përcanë në qytetarë e vandalë. Kur u ngritën studentët, Ata përdorën marifetin më djallëzor që nxorri në pah mendësinë primitive në konceptin që shoqëria ka për politikën e demokracinë. Ata i kategorizuan studentët në politikë dhe apolitikë. Dhjetori 2018 shënoi muajin e një polarizimi të beftë në jetën universitare në vend. Të rinjtë që i përkisnin forumeve rinore apo që kishin shprehur publikisht bindjet e tyre politike, ju nënshtruan një fushate të mbrapshtë lincimi dhe shpifjesh. Qëllimi ishte carja e masës studentore që protestonte dhe humbja e fokusit në atë që realisht përbëntë thelbin e kauzës së atëhershme: Plotësimi i 9 pikave. Studentët nuk protestonin më për 9 pikat, por përfshiheshin në luftën e ethshme të kapjes së pemëve që sundonin Rrugën e Durrësit. Studentët nuk i përdornin më rrjetet sociale për të zhvilluar dhe rritur frymën e protestës, por si mjet identifikimi e më pas lincimi ,të atyre studentëve që dyshoheshn se kishin prapavijë politike. Gjithcka u kthyer në telenovelë, rregjizorët e së cilës ishin më të interesuar t`i nxirrnin të gjitha personazhet me dritëhije, për të mos i lënë audiencës benefitin e të paturit të mirët dhe të keqinjtë e shfaqjes që po luhej para tyre. Tanimë të gjithe ishin të këqinj dhe të gjithë kishin një axhendë të vetën “politike“.
Fryma jopolitike vazhdoi të helmonte zhvillimet shoqërore të pas protestës studentore. Shqiptarët tashmë kishin modelin e nje proteste “jopolitike“ që do të ndryshonte sistemin, por që elementët partiakë e shkërmoqën për interesa partiakë. Kjo qe ajo që rregjizorët donin që shqiptarët të mendonin. Protesta jopolitike e dhjetorit u përdor nga propaganda e Rilindjes për të delegjitimuar cdo protestë që bëhej nga opozita apo nga grupet e tjera të interesit. Sipas mashave dhe larvave në shërbim të pushtetit, ndryshimi mund të vijë vetëm nga jashtë sistemit. Cdo tentativë e individëve apo forcave politike brenda sistemit për të ndryshuar dicka apo për të kundërshtuar një politike të caktuar të qeverisë kryhet për interesa partiakë dhe nuk kanë në revene atë publik e qytetar. Legjionarët në krye të kësaj fushate purifikative të kauzave qytetare, ishin të majtë, me një të shkuar pranë Partisë Socialiste. Të gjithë të përfshirë në protestat që opozita e atëhershme socialiste organizonte në mbrotje të Piramidës, kundër zgjedhje të vitit 2009 apo edhe në demonstratën e dhunshme ne 21 janar. Pas vitit 2013, disa syresh formuan struktura me karakter revolucionar me qëllim kanalizimin e reagimit qytetar në forca politike sa më afër pushtetit dhe jo bashkimit me opozitën, të cilën pushteti dhe mediat e saj tradicionale dhe portalet në rrjetet sociale do të punonin parreshtur në zvhvlerësimin dhe degjenerimin nëpërmjet videove satirike, memeve dhe mjeteve të tjera të kohës.
Vitet shkonin, ndërkaq, dicka fort e habitshme u pa në kauzat qytetare që lindën në vitet e para të qeverisë rilindase. Elemente apolitike, anti establishment, të majtë revolucionarë pengonin përfaqësuesit opozitarë të merrnin pjesë në protestat e qytetarëve. A thua se më shumë legjitimitet kishin leninistët e rënë nga fiku të pas 21 janarit, e jo deputetët e një force politike që mirë apo keq, me gjithë mëkatet që i rëndojnë mbi supe në tranzicionin e stërzgjatur të realitetit shqiptar, përfaqësonin së paku 7000 qytetarë që ju kishin besuar votën atyre dhe forcës politike të cilën ata përfaqësonin. Amullia që kundërpedalët krijonin në protestë i shërbente shthurjes së saj e më pas shuarjes përfundimtare prej mungesës së numrave. Ndërkohë, pushteti fitonte kauzën e rradhës, qytetarët humbnin hapësira publike dhe opozita privohej nga një kauzë për të luftuar.
Apolitizmi i titushkëve majtistë është maska që fsheh fytyrën kriminale të pushtetit që do të uzurpojë gjithcka, përfshirë dhe opozitarizmin qytetar e apartiak. Lenini, Stalini, Mao Ce Duni, Pol Poti apo diktatorë të tjerë që kanë mbretëruar në rruzullin tokësor, e kishin gabim kur mendonin se zgjidhja më efikase për të mbajtur sa më gjatë pushtetin e tyre ishte ta shtypje opozitarizmin që ne embrionin e mendimit ndryshe. Vepra e tyre qe e ligë por dritëshkurtër. Diktatorët dhe diktaturat moderne kanë mësuar se zgjidhja më e mirë për të përballuar erozionin që pushteti pëson pas një kohe të caktuar në zenitin e vet, është ta sendërtosh artificialisht mendimin ndryshe. Ta marrësh atë, t`ia imponosh përmes, ojf-rave apo organizatave një grupi njerëzish; t`i financosh e të investosh në media rritjen e tyre politike e në fund t`i ekspozosh para shoqërisë si opozita e re që kërkon delegjitiminin e forcave të vjetra në funksion të përmbysjes së rendit aktual. Mirëpo përmbysja nuk ndodh kurrë. Lufta e krijesave të krijuara në laboratore e think tanke politike zhvillohet më së shumti kundër opozitës, sesa kundër pushtetit. Pushteti për ta nuk është forca politike që qeveris por vendi që ata synojnë të marrin pasi ta kenë asgjësuar opozitën e vjetër partiake. E gjithë kjo veprimtari nuk bën gjë tjetër vecse ruan status-quo-n në favor të pushteti që investon pafund tek “armiqtë“ e saj të vegjël e revolucionarë.
Si t`i dalloni ata në diskurin publik? Fare e thjeshtë!
Sa herë që qytetarët i përzënë nga kauzat, ata distancohen dhe sulmojnë pa teklif masën protestuese që gjoja është “kapur“ nga opozita. Sigurisht që do të shprehen në dy tre raste për objektin e kauzën, por kjo nuk është asgjë me lukuninë e komente dhe shkrimeve kundër elementeve “politikë“ që sipas tyre e shesin protestën te opozita që i ka duart me gjak. Në këtë moment ata janë në unison perfekt me propagandën zyrtare të pushtetit. Pushteti tenton ta tkurrë reagimin qytetar duke e cilësuar atë si vepra e një grushti militantësh e asgjë më shumë. Artikulimi natyrisht që ndërtohet ndryshe, por qëllimi mbetet i njëjtë: Izolimi i kauzës dhe protestuesve.
Lajmi i mirë në këtë mes është fakti se e keqja ka arritur deri në atë pikë sa njerëzit po e kuptojnë cfarë pushteti po bën për t`i privuar nga e drejta për të reaguar. Qytetari nuk do të thotë t`i biesh të gjithëve e të vështrosh se si identiteti e kultura jote shkërmoqet nga fadromat e mafies së betonit. Qytetari është të ruash dinjitetin ndërkohë që i bie të gjithëve duke i respektuar të gjithë në të drejtën e tyre për të protestuar e për të marrë përgjegjësi politike e qytetare mbi supe.

more recommended stories

loading...