Regjistrohet viktima e 66-të nga Covid-19, humb jetën pacienti 86-vjeçar

Shënohet viktima e 66-të nga Covid-19 në vendin tonë pas humbjes së jetës së një pacienti 86-vjeçar

“Një pacient 86-vjeçar nga Shkodra, i cili po trajtohej në terapi intensive prej 12 ditësh nuk e ka fituar dot betejën me COVID19, me gjithë asistencën e madhe mjekësore. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe i kujton edhe një herë qytetarëve të tregojnë kujdes me respektimin e rregullave, distancimin fizik, përdorimin e maskës, higjienën vetjake, për të kufizuar përhapjen e COVID19.” – bën me dije ministria e Shëndetësisë.

Nga fillimi i epidemisë, 66 qytetarë të konfirmuar me COVID19 e kanë humbur betejën me virusin e rrezikshëm.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 45 raste të reja me Covid 19, 21 prej të cilave vetëm në Tiranë, 10 në Shkodër, 4 në Elbasan, nga 3 raste Delvinë, Kurbin, nga 1 rast në Krujë, Kukës, Lezhë, Sarandë”.

Fatkeqësisht, më herët kanë humbur jetën edhe dy pacientë nga Shkodra dhe Tirana.

Aktualisht në spitalin Infektiv po trajtohen 71 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar në 1516 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.