50 VJET REGJISTRI DETAR SHQIPTAR

Nga Albert Garori

1 korriku 1970 është dita kur filloi punën Regjistri Detar Shqiptar, një nga institucionet detare më të rëndësishme në fushën e detarisë shqiptare.
Regjistri Detar është një institucion i detarisë, ekuivalent me Regjistrat Detarë të vendeve të ndryshme në të gjithë botën.
Qëllimi i këtyre institucioneve detare, të ngritura në të gjithë botën, është që të disiplinojë rregullat kryesisht teknike në fushën e detarisë, të bëjë të zbatueshme shumë nga konventat ndërkombëtare, të cilat i kanë ratifikuar (pranuar) shtetet e ndryshme.
Zbatimi i rregullave teknike dhe konventave ndërkombëtare do të realizohej nëpërmjet kontrollit të anijeve në afate kohore dhe në varësi të gjendjes se tyre, duke i pajisur anijet me dokumentet shoqëruese teknike sipas standardeve ndërkombëtare.
Regjistri i parë detar është Regjistri anglez “Lloyd’s Register”, i ngritur në vitin 1760, duke u pasuar me regjistra të tjerë, si ai francez “Bureau Veritas” (1828); italian RINA “Registro Italiano Navale” (1861); rus, që njihet me inicialet RS – Russian Maritime Register of Shipping – rusisht: “Rossiyskiy morskoy registr sudokhodstva” (1913); kroat CRS – Croatian Register of Shipping, kroatisht – Hrvatski registar brodova (1949); bullgar BRS – Bulgarian Register of Shipping – bullgarisht: Bulgarski Koraben Registër) (1950); kinez CCS – China Classification Society (1956) etj.
Regjistri Detar Shqiptar, i krijuar në vitin 1970, renditet në mënyrë modeste krahas Regjistrave të ndryshëm në mbarë botën.
Ngritja nga shteti shqiptar në vitin 1970 të Regjistrit Detar Shqiptar është arsyetuar nga disa motive të rëndësishme, që lindën në atë kohë, si rritja e numrit te anijeve, të cilat ishin nën kontrollin e regjistrave të ndryshëm të asaj kohe në varësi të origjinës së anijeve; ato erdhën nën flamurin shqiptar të blera, si ndihma apo që po ndërtoheshin nga Kantieri Detar i Durrësit.
Specialistët shqiptarë, që morën përsipër përgjegjësinë për të kryer këtë detyrim në kontrollin e anijeve, natyrisht, u përzgjodhën nga më të mirët e asaj kohe dhe ishte një angazhim që kërkonte përkushtim, njohuri, dëshirë për të punuar me vendosmëri për t’i njohur dhe pastaj për t‘i zbatuar këto rregulla.
Fillimisht,
• së pari, u përkthyen rregullat bazë të klasifikimit të anijeve si për skafin, makinerinë, instalimet, mekanizmat, instalimet elektrike, instalimet e lundrimit;
• së dyti, u përpiluan rregullat e kontrollit (inspektimit) të anijeve;
• së treti, u njohën me konventat ndërkombëtare të asaj kohe, që duheshin zbatuar gjatë lundrimit, detyrimeve që rridhnin për anijet nga zbatimi i tyre;
• së katërti, pajisja me certifikatat përkatëse në varësi të tipit të anijes.
Rreth vitit 1968 dhe në vazhdim, në Kantierin Detar të Durrësit filluan të ndërtoheshin anije metalike, të cilat duhet që të mbikëqyreshin sipas rregullave e standardeve të ndërtimit të tyre dhe në përfundim të klasifikoheshin nga një shoqëri klasifikuese. Këtë detyrë Regjistri Detar Shqiptar brenda një kohe të shkurtër do ta merrte përsipër pas krijimit të rregullave bazë të klasifikimit të anijeve.
Pas vitit 1974, kërkohej të zbatoheshin konventat ndërkombëtare të ndryshme si në drejtim të sigurisë të lundrimit, ruajtjes të mjedisit, sistemit të radionavigimit etj.. Zbatimi kërkonte njohje të këtyre konventave, njëkohësisht edhe përkushtim në zbatimin e tyre.
Nen mbikëqyrjen e specialistëve të Regjistrit Detar Shqiptar u miratuan projekte për ndërtim në Kantierin Detar të Durrësit për anije tip si ato për udhëtarë, peshkimi, tregtare dhe anije për qëllime te ndryshme si rimorkiatorë, maune, pilotimi, anije të ujërave të brendshme deri anije ngarkese të tonazheve të mesme deri në 2 700 GRT.
Miratimi i projekteve të këtyre anijeve është shoqëruar dhe me ndjekjen në mënyrë rigoroze gjatë ndërtimit, sipas rregullave standarde të ndërtimit të anijeve të përpiluara nga ky Regjistër.
Gjate kësaj kohe, kontrollet (inspektimet) vjetore, 3-vjetore dhe 4-vjetore (klasifikuese) sipas rregullave ndërkombëtare, të përkthyera dhe të zbatueshme përbënin punën e vazhdueshme të specialistëve të Regjistrit Detar Shqiptar.
Motivi i vazhdueshëm i punës së specialistëve ishte që të njihnin çdo ndryshim që bëhej në Rregullat dhe Konventat ndërkombëtare për t’u zbatuar në anijet të klasifikuara nga ky Regjistër. Për kohën, deri ne vitet 1990, ishte shumë e vështirë njohja me këto ndryshime për vetë faktin e mbylljes dhe komunikimit me institucionet ndërkombëtare detare.
Kërkesat për bashkëpunim me Regjistrat sivëllezër në botë ishin të vështira për kohën dhe vetëm në vitin 1989, me shumë përpjekje nga ana e drejtuesve të Regjistrit Detar Shqiptar, u arrit që të realizohet një marrëveshje bashkëpunimi me një nga Regjistrat lider në fushën e detarisë, me regjistrin gjerman “Germanischer Lloyd”.
Kjo ishte një nga arritjet më të mëdha të Regjistrit Detar Shqiptar, e cila bëri që, me ndihmën e specializimeve dhe literaturës specifike të parashikuar në këtë marrëveshje, që vazhdon edhe sot, ne t’u afrohemi standardeve të zbatueshme nga institucionet homologe në fushën e detarisë.
Sot Regjistri Detar Shqiptar krenohet me arritjet e tij për punën 50-vjeçare te kryer nga të gjithë specialistët, qe kane punuar dhe punojnë, duke përballuar me shumë vështirësi, në lidhje me kërkesat teknike në rritje nga institucionet ndërkombëtare detare, evropiane dhe botërore.