E konfirmon edhe INSTAT: Covid-19 sjell rënie të fortë të ekonomisë

Nga: Arnela Avdiaj

Mbyllja e ekonomisë dhe frenimi i sektorit të ndërtimit në fillim të muajit mars për shkak të përhapjes së koronavirusit ka sjellë rënien e ekonomisë në tremujorin e parë.

INSTAT raporton se ekonomia gjatë tremujorit vlerësohet me një rënie prej 2.52% krahasuar me tremujorin e vitit të shkuar.

Ekonomia u bllokua në kuadër të masave në luftën kundër COVID-19 çka ka bërë që të kalojnë në territor negativ shumë sektorë.

Më negativisht në rritjen ekonomike ka ndikuar sektori i ndërtimit me -1.29 pikë përqindje.

Edhe në degët kryesore të ekonomisë aktiviteti i ndërtimit ka shënuar një rënie me 16.6 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT sektori i dytë me ndikimin më të madh negative është ai i tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor me -0.58 pikë përqindje.

Nga ana tjetër një ndër të vetmit sektor që ka ndikuar pozitivisht, duke shënuar rritje, janë bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 0.71 pikë përqindje.