Astrit Lulushi – Lajm i vjetër

Astrit Lulushi

Sa shumë njeriu është i lidhur me instinket. Çdo veprim i tij është inerci e veprimeve të nisura nga e kaluara. Instinkti është thelbi i krijimit – Big Bang i jetës – dhe inercia mund të quhet forca e shpërthimit që vazhdimisht zgjerohet. Ndonjëherë, pasi kemi parë e dëgjuar gjithë ditën, ndalemi dhe pyesim – Çfarë është lajmi? Dhe kuptojmë se lajmi i vërtetë kurrë nuk është i vjetër.
Një herë në Kinën e lashtë, në vitet 300, perandori Wei dërgoi një njeri në provincë për të përcjellë lajmet, siç ishte zakoni i komunikimit atëkohë. Gjatë bisedës me njerëzit e mbledhur, mikpritësi e pyeti lajmëtarin: Çfarë është duke bërë Perandori? I dërguari u përgjigj me respekt: ​​Mjeshtri im dëshiron të zvogëlojë numrin e gabimeve të veta, por nuk mund të arrijë deri në fund të tyre. Ky ishte lajmi. Kur i dërguari iku, njerëzit thanë: Çfarë mesazhi i denjë! Në vend që të shurdhojë veshët e fermerëve të përgjumur në ditën e pushimit me kritika për një jave të harxhuar keq, ai foli për fillimin e freskët dhe të guximshëm të një jave të re.
Lajmi i keq është vdekjeprurës i ngadaltë; dhe lajmi i mirë vlerësohet vetëm në një realitet të përsosur – që nuk ekziston. Nëse njerëzit do të vëzhgonin vetëm realitetin e tyre dhe të lejonin veten të mashtroheshin, jeta do t’i ngjante përrallave të njëmije e një e netëve. Nëse do të respektonim vetëm atë që është e pashmangshme, muzika dhe poezia do të kumbonin nëpër rrugë, jeta do të ishte hare. Kur jemi kureshtarë dhe të mençur, ne e kuptojmë se vetëm gjërat e mëdha dhe të denja kanë ndonjë ekzistencë të përhershme dhe absolute, dhe se frika dhe kënaqësitë e vogla përbëjnë pjesën hije të realitetit. Duke mbyllur sytë, dhe pranuar të mashtrohemi nga pamja e jashtme, njeriu vendos dhe konfirmon jetën e tij të përditshme të rutinës që është ndërtuar mbi themele thjesht iluzorë. Fëmijët i dallojnë marrëdhëniet e jetës më qartë se të rriturit, të cilët nuk arrijnë ta jetojnë atë denjësisht, por që mendojnë se janë më të mençur nga përvoja, domethënë nga dështimi.
Na ishte një herë…një djalë mbreti, i cili, duke u dëbuar në foshnjëri nga qyteti i tij i lindjes, u rrit nga një pylltar, dhe mendonte se i përkiste një race barbare me të cilën jetonte. Një ditë, një nga ministrat e atit të tij, i tha të vërtetën se kush ishte, dhe koncepti i karakterit të djalit ndryshoi kur mësoi se ishte princ. Kështu edhe njeriu, nga rrethanat në të cilat rritet a vendoset mes gënjeshtrave, gabon karakterin e vet, derisa e vërteta zbulohet, dhe ai e kupton se çfarë e kush është.
Ne jemi këta që jemi sepse vizioni ynë nuk depërton përtej sipërfaqes së gjërave. Ne mendojmë se është ajo që duket se është. Nëse një njeri i shetitur na jep një përshkrim për realitetin që ka parë, ne e njohim vendin siç na e përshkruan ai; të vërtetën e vlerësojmë në distancë, në periferi të sistemit, prapa yllit më të largët, përpara Adamit dhe pas njeriut të fundit; të gjitha kohët, vendet dhe rastet ne i përmbledhim në të tashmen; mendojmë se çdo gjë arrin kulmin në momentin e tanishëm dhe se s’ka ndodhur kurrë më parë; nuk arrijmë t’a kuptojmë atë, sepse shohim vetëm realitetin ku jemi mbyllur. Bota, mbushur me realitete të tjera, vazhdimisht dhe me bindje i përgjigjet koncepteve tona, qoftë kur udhëtojmë shpejt apo ngadalë, larg ose afër – sot rruga është e hapur, dhe njeriu, veç realitetit të rremë, nuk tradhton asgjë tjetër.