Thaçi paralajmëron dorëheqjen nëse akuzat konfirmohen në gjykatë

Gjatë një konference për shtyp, pak ditë pas bërjes publike të akt-akuzave për krime lufte, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përmendi edhe dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit.

Sipas tij, nëse këto akt-akuza konfirmohen, atëherë ai do të largohet nga posti i presidentit e do të përballet me akuzat.

‘’Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat’’, tha ai.

Më 24 qershor, tre ditë para takimit Kosovë-Serbi në Uashington, ku pjesëmarrës do të ishte edhe vetë Thaçi, Prokuroria Speciale e Hagës publikoi akt-akuzën ndaj presidentit të Kosovës, dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Sipas Prokurorisë Speciale, Thaçi dhe Veseli akuzohen për 100 vrasje të paligjshme.

Madje, ndër të tjera, ata akuzohen se kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë.