Salianji: Rama është fatkeqësia e ekonomisë shqiptare, ne kemi plan një ekonomi të fortë

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji e quajti kryeministrin Edi Rama fatkeqësi të ekonomisë shqiptare.

Përmes një postimi në “Facebook”, Salianji tha se Rama në shtatë vitet e qeverisjes së tij nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka vjedhur qytetarët.

“Për 7 vite me radhë, Edi Rama i zhvati shqiptarët me taksa të larta duke i vënë lekët e shqiptarëve në shërbim të oligarkëve të tij. Për 7 vite me radhë kjo qeveri la në mëshirën e fatit shqiptarët që sot janë më të varfër se kurrë. Xhepat e qytetarëve zbrazen ndërkohë që klientët e Edi Ramës pasurohen dhe marrin miliona dhe në kohë pandemie. Edi Rama është fatkeqësia e ekonomisë shqiptare. Këtë gjë nuk e fsheh dot më as propaganda e stisur prej tij.”

Salianji shtoi se Partia Demokratike e ka gati një plan, që sipas tij, do të sjellë normalitetin e munguar tek shqiptarët.

“Ne kemi një plan të qartë dhe të realizueshëm që do të rikthejë normalitetin, ekonomi të zhvilluar, më shumë frymëmarrje për biznesin”.