Prirjet autoritariste, produkt i elitave politike apo…?

Nga Çapajev Gjokutaj

BE nuk do t’i nisë fluturimet me Shqipërinë se gjykon që numri i të infektuarve me covid është i lartë. Dhe me të vëtetë në periudhën 12 – 26 qershor për 100 mijë banorë kemi patur 3 fishin e të infektuarve të Spanjës, 5 fishin e Italisë dhe 15 fishin e Greqisë.

Ne mars e prill kur Italia, Spanja e vende të tjera përjetonin Vaterlo humbjesh njerëzore, Shqipëria përmendej në historitë e suksesit, mbyllja e shpejtë dhe gati totale kishte dhenë fryte.

Mbase kanë të drejtë epidemiologët që thonë se atëbotë tek ne nuk pati epidemi, u shfaqën vetëm rastet e para dhe masat e menjëhershme shmangën molepsjen komunitare. Me sa duket tani po jetojmë fillimin e epidemisë dhe duhet kujdes me distancimin fizik, maskat, larjen e duarve e gjëra të tjera të thjeshta, e që varen kryesisht nga vullneti i secilit.

Epidemia është situatë mbushur me risqe e kosto të mëdha njerëzore e materiale. Gjithsesi është problem i ndërlikuar që do studjuar e sqaruar nga specialistët, ne të tjerët kur nxitojmë të flasim për të në publik rrezikojmë të marrim rolin e pathoit të katundit.

Por një gjë tjetër, më sociale mund ta diskutojmë. Funksionuam mirë dhe e bëmë covidin zap në karantinë, sa u liruan masat shtrënguese u lëshuam aq shumë sa semundja rrezikon të na vëjë përpara.

Mos vallë kjo tregon se nuk e menaxhojmë dot lirinë, se funksionojmë më mirë nën kontroll e diktat?

Në periudhën njëshekullore të shtetit shqiptar kemi patur thuajse vetëm regjime diktatoriale e autoritariste, edhe demokracia e tri dekadave të fundit shenjohet nga prirje te forta të sundimit të njëshit.

A ka ndodhur e po ndodh kështu nga që na janë imponuar elitat drejtuese dhe sidomos personalitet që kanë dalë në krye apo nga që si shoqëri një pjesë e mirë prej nesh nuk dinë ta menaxhojnë lirinë dhe funksionojnë më mirë nën diktat?

Kujt t’ia veshim qyrkun e fajit, elitave politike apo qytetarëve? Apo edhe… edhe…

Thonë që pushteti është drogë e fortë, vartësisë prej kësaj droge i shpëtojnë vetëm liderë me formim të fortë demokratik. Gjithsesi në çdo rast duhet të funksionojë limitimi i pushtetit të tyre nëpërmjet parimit ‘kontroll dhe ekuilibër’ si dhe nëpërmjet trysnisë së vazhdueshme të qytetarëve.

( Nga cikli ‘ Katakombet e kombit’ )