Fjala e plotë e ambasadores Kim: Të shqetësuar nga klima politike, konkurrenca e padrejtë dhe korrupsioni

Nga Yuri Kim, ambasadore e SHBA

Jam këtu sot sepse më interesojnë rezultatet. Më interesojnë thellësisht për shkak të asaj që do të thotë për perspektivën e investimeve në Shqipëri. Siç shumë prej jush e dinë tashmë, rritja e tregtisë dhe e investimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është një nga tri prioritetet e mia si Ambasadore.

Shumë shqiptarë nuk do të habiten kur të mësojnë se anketimi i këtij viti tregoi një rënie në klimën e biznesit. Fushat shqetësuese të vazhdueshme janë klima politike, konkurrenca e padrejtë dhe korrupsioni.

Në vend që të përpiqemi të caktojmë se kush e ka fajin për këto probleme, ne duhet të përqendrohemi në mënyrën se si do t’i rregullojmë këto probleme. Pikëpamjet tuaja – dhe veprimet tuaja – do të jenë vendimtare në këtë përpjekje. Cili është vizioni juaj për Shqipërinë dhe cilat janë rekomandimet tuaja konkrete për të arritur atje? Si do të krijoni vende pune, si do të tërhiqni investime të huaja dhe si do të rritni mundësitë për të rinjtë? Si mund të punojmë së bashku për të përmirësuar klimën e biznesit të Shqipërisë? Të gjitha palët e interesuara për ekonominë shqiptare duhet të bashkohen për të prodhuar qasje proaktive, të orientuara drejt zgjidhjeve.

Fakti që situata politike doli në krye të listës së shqetësimeve tregon se shqiptarët janë të lodhur nga politika si zakonisht. Ata janë të dëshpëruar nga politika e të fajësuarit të tjetrit. Ajo që dëgjoj nga populli shqiptar është se ata duan të shohin udhëheqës që punojnë së bashku për hir të popullit. Duan që qeveria t’u ofrojë një mundësie – pa frikë dhe pa korrupsion – një mundësi për të fituar më shumë para, për të arritur një standard të mirë jetese dhe për t’iu dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë.

Siç tha Presidenti John F. Kennedy dikur për politikën e shëndoshë ekonomike: “batica i ngre të gjitha anijet”. Ndaj, sërish ju sfidoj të gjithëve që të përdorni raportin e sotëm për të fituar njohuri mbi atë që duhet të rregullohet, jo për kë duhet të fajësohet. Populli shqiptar dëshiron rezultate, jo fyerje. Ai do vizion, jo ndarje. Jemi besimplotë se populli dhe udhëheqësit shqiptarë janë të aftë të ngrihen mbi këtë sfidë dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme, që si gjithmonë, t’ju mbështesin.