“Turizmi, situata alarmante”| Topuzi: Na leverdis më shumë të rrimë mbyllur

Turizmi këtë sezon nuk duket i vakët, por gati i pashpresë për të vijuar më tej. Rrugët janë ende të mbyllura, ndërsa pasigura brenda dhe jashtë vendit mbetet e lartë.

Zak Topuzi nga Shoqata e Turizmit thotë në emisionin “E-zonë” në Vizion Plus se sektori është në peiudhën më të errët në histori.

“Industria tursitike është në një kolaps total. Qeveria duhet të bënte diçka për industrinë tursitike. Të dy paketat u nisën si iniciativë për industritë më të goditura, industrinë turistike e transportit dhe fason, por përfundoi në një paketë që nuk e ndihmoi industrinë tursitike për shumë arsye. Sa i përket kredisë për pagat, industria turistike nuk e përfiton, sepse punonjësit i ka pasur të shkarkuar. Paketa e dytë u fol për interesa zero dhe ka përfunduar me inters 5 për qind. Flasim për një industri që është sezonale dhe u godit nga tërmeti dhe pandemia. Është shumë e rëndësishme për vendin, sepse siguron 26 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto dhe numrin më të lartë të punonjësve. Nuk është çështja vetëm për të shpëtuar hotelet apo agjencitë, por industrinë turistike. Sipas ekspertëve, nuk mund të përmirësohet për një vit, por do të duhet të paktën 3 vjet për t’u rikthyer në pozicionet e para.”

Prej disa ditesh, bizneset e turizmit kane bërë nje peticion ndaj qeverisë, me disa kërkesa që u mundësojnë atyre mbijetesën, mirëpo, sipas Topuzit, qeveria “nuk e ka vënë ujin në zjarr”.

“Biznesi i turizmit është në fazë alarmante. Një pjesë e mirë e hoteleve më të rëndësishme nuk janë rihapur. Italia, nga 1200 hotele, vetëm 45 janë hapur. E kanë më të thjeshtë të rrinë mbyllur sesa hapur. Në pozicionin kur ne jemi hapur dhe nuk ka punë, përveç kusureve të punonjësve, janë dhe taskat që duhet të paguhen. Taksat janë të pamunduara të paguhen për një biznes, i cili ka që në fillim të vitit që është i mbyllur. Akoma nuk është zgjedhur përfundimisht menaxhimi i plazheve. Ka një kakofoni midis ministrisë dhe bashkisë. S’ka rezervime, s’ka qarkullim, hotelet e mëdha janë mbyllur dhe nuk do të hapen deri në shtator. Jemi ende shumë larg vendeve të rajonit, që kanë marrë politika të forta mbështetëse për turizmin, por ne jemi mjaftuar me dy garanci sovrane të cilat janë me interes 5%.”

Për Topuzin, bashkia me taksat vendore nuk ka bërë asnjë lëshim dhe se në fund të muajit është koha për të paguar detyrimet ndaj njësive vendore. Në këto kushte, ai shprehet se më shumë iu leverdis të rrinë mbyllur sesa të hapen dhe të paguajnë taksa, me arsyetimin se nevojitet një sasi shumë e madhe të ardhurash për të mbajtur punëtorët në punë.

“Një biznes që ka paguar taksa 30 vjet duhet të ndihmohet. Kjo është situata më e errët që mund të ketë pasur turzimi, nuk ka prenotime. I vetmi shpëtim mund të jetë Kosova ose shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme. Jemi në një fazë që po mendojmë për t’i mbyllur një pjesë të strukturave të mëdha apo për t’i mbajtur hapur. Për momentin, është më e leverdisshme t’i mbyllësh dhe mos t’u paguash taksat dhe tatimet, sepse hoteli ka deri në 36 për qind të të ardhurave kosto punëtorie. Është një sasi shumë e madhe të ardhurash që duhen për t’i mbajtuar këta punëtorë në punë”.