SFIDAT E MOSHËS SË TRETË NË SHQIPËRI

Nga DR. ROMINA RADONSHIQI

Të moshuarit konsiderohen si shtylla kurrizore e një shoqërie, si baza e ruatjes së vlerave dhe kulturës së një kombi. Ato i kanë dhënë shoqërisë më shumë benefite në krahasim me atë që ato marrin si kthim. Shqipëria është një nga vendet ku mosha e tretë nuk përkrahet, për këtë arsye ato gjënden në një situatë të vështirë social -ekonomike. Financat e individëve janë rezultat i punës dhe të ardhurave të fituar nga aktivitetet e tjera. Shumica e moshës së tretë janë të kujdesshëm me financat e tyre me qëllim që ata të marrin kënaqësi të plotë nga të ardhurat që disponojnë. Çdo individ ka një pozicion financiar unik, prandaj të gjitha aktivitetet e tyre financiare duhet të planifikohen me kujdes për të përmbushur nevojat dhe qëllimet specifike.
Të moshuarit në Shqiperi kanë probleme me financat e tyre sepse të ardhurat nga pensioni nuk arrijnë të përmbushin as nevojat e tyre fiziologjike. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (2020) Këshilli i Ministrave miratoi indeksimin e pensioneve të pensionistëve dhe kategorive të tjera që trajtohen financiarisht me pensione . Indeksimi i pensioneve me 2.3 % (01.04.2020) ka efekt pozitiv (sepse është rritje e pensioneve), por ka ndikim tepër të ulët në financat e pensionistëve.
Pensionet në Shqipëri janë të pamjaftueshme për të plotësuar nevojat dhe kërkesat, prandaj e vetmja mbështetje për të moshuarit mbeten familjarët e tyre. Të moshuarit kanë nevojë për suport moral, financiar dhe për përmiresimin e kushteve të jetesës
Nga një hulumtim i kryer me pensionistët në vitin 2019 në Shqipëri, ka rezultuar se rreth 78% e të intervistuarve janë përgjigjur se pensioni është i vetmi burim të ardhurash. 100% e të intervistuarve janë përgjigjur se pensioni nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet e tyre, sepse një pjesë e mirë e pensionit shpenzohet për kujdes shëndetsor.
Kosto e jetës është gjithnjë në rritje por kjo nuk përkon me rritje të drejtë të pensioneve. Në këtë situatë të mungesës së racionalitetit financiar, ekspozimi ndaj problemeve shëndetsore si pasojë e stresit dhe risku për krizë financiare është më i lartë. Pensionistët e pyetur se si e menaxhojnë këtë situatë, pra nëse rriten shpenzimet janë përgjigjur si më poshtë:

79 % e të intervistuarve i kërkojnë ndihmë fëmijëve, 10 % e tyre marrin hua nga të afërmit dhe 11 % shpenzojnë kursimet.

Këto janë të dhënë shumë të rëndësishme për të reaguar, ndaj shoqëria civile, mediat dhe politikbërësit duhet të bëhen palë me të moshuarit për të ndikuar tek qeveria për ti dhënë kësaj pjese të shoqërisë një pension të mjaftueshëm për një jetesë cilësore.
Qeveria duhet të reagojë për zgjidhjen e problemeve që përballen sot të moshuarit në Shqipëri duke zhvilluar politika mbështetëse për to sepse investimi i të moshuarve duhet të ketë kthimin që ato meritojnë.