Komplekset kulturore të intelektualëve modernë të pas-diktaturës

Ergys Mërtiri

Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, u shfaq një kategroi intelektualësh me paradokse të thella, të cilat ushqejnë edhe sot mendësitë e shoqërisë shqiptare. Këta ishin, të rinj liberalë shumica e të cilëve, sot udheheq vendin në politikë dhe shoqërinë civile, perfshi këtu, mediat, institucionet e kulturës, botës akademike, organizatave joqeveritare etj. Edi Rama mund të konsiderohet një produkt tipik, ndonëse ndoshta më i ekzagjeruar i këtij modeli.

Ndonëse rininë e tyre e kanë kaluar përgjithësisht në bllok apo rrotull tij, – falë shërbimeve të baballarëve të tyre ndaj regjimit, – shumica prej tyre janë njohur për tipa antikonformistë, modernë, që nuk u nënshtroheshin lehtë kallëpeve kulturore të Njeriut të Ri që impononte partia. Shumica prej tyre kanë qenë kundër regjimit jo për ndonjë zell patriotik apo ndonjë veneracion serioz për lirinë dhe demokracinë, por thjesht për shkak se regjimi i pengonte të kishin një jetë konform modeleve kulturore hedoniste e vanitoze si ajo të cilën ata e preknin nëpërmjet ekraneve të televizioneve italiane.

Ky lloj rebelimi snobist ka ardhur më shumë si një reagim instiktiv ndaj shkretëtirës kulturore të Shqipërisë së atyre viteve dhe nuk ka arritur të prodhojë dot as më vonë, pas rrëzimit të sistemit, një narrativë serioze për ta çliruar vendin nga ajo trashëgimi. Ai buron më shumë nga një narcizizëm i brendshëm, i ngarkuar me komplekse moderniste prej botës së spektaklit perëndimor, të konsumuar në rini, nëpërmjet ekraneve të huaja, të cilat populli i thjeshtë i mbërrinte fshehtas, vetëm nëpërmjet kanoçeve UHV që rivalizonin zhurmuesit e regjimit.

Antikomunizmi ekscentrik i kësaj kategorie ishte më shumë një kundërkulturë fëmijësh të përkëdhelur, të mbrojtur nga vetë regjimi i prindërve të tyre. Ky lloj antikomunizmi ushqehet më shumë nga pengimi që ushtronte partia, bie fjala për të veshur xhinse, për të mbajtur flokë të gjatë apo për të dëgjuar muzikë rock’n roll, sesa prej ndonjë ndjeshmërie kundër terrorit gjenocidal të pushtetit popullor.

Kjo lloj sjelljeje përfton një farë ekstravagance intelektuale e cila, në mënyrë paradoksale, karakterizon një shtresë të re borgjezie të lindur gjatë komunizmit falë privilegjeve të fituara prej shërbimeve ndaj tij. Duke mos u mjaftuar me këto privilegje, të cilat i merrnin të mirëqena, ata kanë ndierë parehatinë me sistemin, si edhe me të gjithë vendin, duke u krahasuar me të rinjtë në vendet perëndimore.

Për pasojë ata nuk para kanë shfaqur ndonjë veneracion për fatin e popullit apo të shoqërisë në përgjithësi. Përkundrazi, në shkrimet e tyre të pasnëntëdhjetës konstatohet përbuzja për të. Ata e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin shoqërinë shqiptare si një fshat të prapambetur që ka aksidentuar fatin e tyre. Për këtë arsye ata nuk ndjejnë kurrfarë përgjegjësie intelektuale për vendin e tyre.

2020 © Faktor.al Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë medium online janë të rezervuara.