Durrës| Në port anije me 5 500 tonë nitrat rus. Dikur e prodhonim në Fier

Nga Thanas Mustaqi

Më 28 qershor 2020 ora 16, 00, ka mbërritur dhe ka hedhur spirancën në radën e jashtme të portit anija “Tango Sol” me 5 500 tonë nitrat importi.
Është planifikuar të shkarkohet në molin 5 nga operatori “Egnatia 1”.Anija 23-vjeçare me flamur të Ishullit Kok (Cook Island) ka lundruar 8 ditë dhe 13 orë, duke u nisur nga porti rus i Novorossiysk-ut, ku dhe është ngarkuar për Shqipëri.

Info / Uzina e Prodhimeve të Azotuara, Fier
U krijua me bashkimin e uzinës së nitratit të amonit (1967), uzinës së uresë (1976) dhe uzinës së dytë të uresë (1989). Prodhimet kryesore ishin plehrat azotike për bujqësinë.
Prodhonte:
• nitrat amoni me 34 për qind azot, që përdorej si pleh për bujqësinë dhe si produkt për qëllime të tjera industriale sidomos në industrinë e lëndëve plasëse për qëllime ushtarake dhe industriale në miniera;
• ure me 42 për qind azot, që përdorej si pleh kimik për bujqësinë, si shtesë në ushqimin e kafshëve, si gjysmë-produkt për prodhimin e ngjitësve etj.;
• amoniak sintetik 99 për qind, që përdorej si gjysmë-produkt për prodhimin e nitratit të amonit, uresë dhe acidit nitrik, në industrinë e prodhimit të sodës, në veçimin e nitrat-kobaltit nga xeherori i hekurit në metalurgji, në sistemet e ftohjes, në prodhimin e ujërave amoniakore etj.;
• acid nitrik 53 për qind, që përdorej si gjysmë-produkt për prodhimin e nitratit të amonit, si dhe për qëllime të tjera industriale;
• acid nitrik 65 për qind që përdorej për qëllime laboratorike; nitrat natriumi, që përdorej në industrinë e qelqit, industrinë mekanike etj.;
• protoksid azoti, që përdorej si lëndë narkotike në kirurgji.
Si lëndë të parë uzina përdorte gazin metan dhe ajrin atmosferik. Prodhimi mbështetej mbi teknologji të përparuar italiane. Pas vitit 1994 prodhimi u ndërpre për shkak të mungesës së gazit natyror.
Në vitet 2010 u dërgua për skrap!