Basha për shurjen e valltarit Besim Zekthi: Artist legjendë, ngriti në maja vallen shqipe


Kreu i opozitës Lulzim Basha përmes një komunikimi ka reaguar për shuarjen nga jeta të valltarit Besim Zekthi.

Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Besim Zekthit, artistit legjendë, mjeshtrit të madh që e ngriti në majat më të larta interpretimin e valles shqiptare.

Me një kontribut të jashtëzakonshëm për mbi gjysëm shekulli në Ansamblin shtetëror të Këngëve dhe Valleve, Besim Zekthi ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare në çdo skenë prestigjioze të botës. Ai u njëhsua në memorien kolektive me shqipen që fluturon e lirë,

Besim Zekthi ishte shqipja që na dha krahë, dhe kjo simbolikë e ushqente secilin prej nesh me shpresën se ditë më të mira do të vinin për kombin tonë. Bashkëpunimet e jashtëzakonshme të Besim Zekthit me Panajot Kanaçin, Rexhep Çelikun, Lili Cingun, apo edhe me rapsodin e papërsëritshëm Dervish Shaqën i dhanë publikut shqiptar valle të papërsëritshme si “Kreshnikët e Lirisë”, “Dasma e Rugovës”, “Komitët e Lirisë”, etj.

Artistë si Besim Zekthi janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë, ata janë burim krenarie dhe frymëzimi, prandaj edhe ruajtja e trashëgimisë së tyre profesionale është detyrim për brezat e rinj që e lëvrojnë vallen, këngën dhe artin tonë burimor.

Largimi prej nesh i Besim Zekthit është një dhimbje e pangushëllueshme për familjen dhe një moment trishtimi për të gjithë artdashësit. I gjendem pranë me mendimet dhe lutjet e mija familjarëve dhe miqve të tij në këtë moment të rëndë. U prehtë në paqe!