Ditët e fundit të Lef Nosit…

Nga At Zef Pllumi, në librin “Rrno vetëm për me tregue”

“… Në tetorin e vjetit 1944.
Antarët e Këshillit të Naltë mbasi kishte perfundue sundimi i tyne i 100 ditve, tue pa se tashma nuk çante kryet për ta kurrnji shqiptar e lëshuen Tiranen dhe kerkuen strehim të përkohshëm në Kuvendin Françeskan, Mehdi Frashëri, më duket se u bashkue me ushtritë gjermane dhe iku, At Anton Harapi tha se… do t’ishte marre me ikë e me e lanë popullin e vorfën vetëm, se duhej dekë në Shqipni. Pregatiti nji strofull diku ndër male të Dukagjinit. Ndërsa Lef Nosi, nji zotni i mbajtun që nuk e kishte shokun ndër shqiptarë, nuk tundej fare: un – thonte, nuk i kam ba keq kurrkuj: gjithmonë në jetën time kam ba veç mirë, prandaj as komunistat, as kurrkush tjetër nuk kanë pse më kërkojnë llogari, dhe vazhdonte i qetë tue kontrollue koleksjonin e fundit të pullave të postës, e me nji lente të madhe kqyrte a kishin dalë mirë e kjartë germat e vulave postare ma të fundit. Por tue kenë se Kuvendi Françeskan zakonisht i kishte dyert e hapuna gjithmonë hinte e delte gjithkush, At Frano Kiri, që kish marrë përsipër me i sigurue jetën e hoq prej andej e e dërgoi në Kolëgjë, ku përveç At Marin Sirdanit, At Daniel Gjeçajt, fëmijëve dhe nja tre katër kujdestarëve nuk sillej kush tjetër. Aty Lefi ndeji qetësisht deri që fi lluen kontrollet e partizanve. Por kur kontrollet u shpeshtuen së tepërmi Lefi nuk mund i duroj ma dhe i kërkoi At Franit që ta dergote te At Antoni: ata të dy ishin të lidhun me nji miqsi të madhe njani me tjetrin. At Frani u perpoq me ia ba te ditun veshtirsitë e mdha të këtij veprimi, jo vetëm se të gjitha rrugët kontrolloheshin prej partizanve, por edhe pse vetë jeta e malsisë në ate dimën ishte e padurueshme. Por Lefi mendonte se atje ndër malsi do t’ishte ma shumë liri e ma pak frigë. Pëcjellja e tij ndër malet e Dukagjinit kje nji aventurë e tillë që sikur Lefi ta kishte lexue në ndonji roman do të kishte bërtitë me vedi: ‘E pamundun! Fantazia e autorit asht tepër e ngarkueme’. Tue pa se ai nuk mund t’i përshtatej në kurrfarë mënyre jetës parahistorike të shpellave, e derguen në katundin Kir me jetue bashkë me nji frat tjetër edhe ma plak se ai. Por aty u kuptue prej gjithkuj se nuk ishte frat: ai i pyetëte ata me naivitet për orenditë kishtare se shka ishte ky send e shka ishte ai tjetër. Prandej, për me u shpëtue ndjekjeve e terrorit, simbas kërkesës së tij, u desht edhe nji herë me kalue qafa malesh, lugina, lumenj e fusha deri që e dorzuen te nji mik i veti në Tiranë. Kaq dij un prej gojës së At Frano Kirit. Ndërkaq At Antoni vazhdonte me jeten e shpellave të Pultit…

Dhe fundi : 20 shkurt te 1946 Lef Nosi bashke me pater Anton Arapin u
pushkatuan nga komunistet…

Libiri “Rrno vetëm për me tregue”i At Zef Pllumit….
Lef nosi ne gjygj…..