SPORT| Frymëzimi që vjen nga Alessandro Zanardi

Fituesi kampionatit automobilistik CART në vitet 1997 dhe 1998, Zanardi pësoi një aksident thuajse tragjik në vitin 2001 gjatë një gare në Gjermani. Them thuajse, pasi i mbijetoi aksidentit, por me çmimin e lartë të humbjes së të dyja këmbëve. Humbi këmbët, por jo dëshirën dhe vendosmërinë për të vazhduar për të konkuruar. Kështu, më pak se 2 vjet nga aksidenti, nëpërmjet protezave ai iu rikthye garave automobilistike, në veprimtari të tjera. Përtej kësaj, ai u angazhua shumë seriozisht në garat me biçikleta dore, aktivitet ku arriti t’i dhuronte vendit të tij, Italisë, medalje të artë në Lojërat Olimpike për njerëzit me aftësi të veçanta, në vitet 2012 dhe 2016. Për publikun shqiptar (edhe për mua) Zanardi u bë i njohur kryesisht me rikthimin në Formula 1 në vitin 1999, për fat të keq pa sukses, me skuderinë Williams. Ishte periudha e dualizmit spektakolar Mika Hakkinen (McLaren Mercedes) dhe Michael Schumacher (Ferrari), e ky sport ndiqej shumë edhe tek ne. Ai kishte marrë pjesë në këtë kategori të automobilizmit edhe në vitet 1991-94, me skuderi të vogla. Dje Zanardi pësoi përsëri një aksident shumë të rëndë me biçikletën, dhe pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në kokë, ndodhet në koma artificiale.

“Jeta është si kafeja. Hidhi sheqer sa të duash, po nuk e lëvize lugën, nuk do arrish kurrë ta bësh të ëmbël. Duke qëndruar pasiv nuk do ndryshon kurrë asgjë.”

Përgatit: Elis Kulo