Hashim Thaçi premton: Në Uashington nuk do të diskutohet për territore


Presidenti, Hashim Thaçi, deklaron se Kosova mirëpriti ftesën e SHBA-ve për takimin Kosovë-Beograd për rifillimin e dialogut në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, duke e cilësuar një hap përpara për Kosovën. Thaçi theksoi se në këtë marrëveshje, nuk do të ketë shkëmbim të territorit dhe nuk do të cënohet sovraniteti i vendit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është përgjigjur pozitivisht ftesës për rifillimin e dialogut në Uashington në fund të qershorit. Kreu i shtetit tha se përfshirja e ShBA-së në këtë proces rrit shpresën për sukses në një marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Thaçi përmes një konference për shtyp, tha se vetëm të bashkuar dhe me partneritetin me ShBA-të, rezultatet do të jenë konkrete. Ai theksoi se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe se duhet arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
I pari i shtetit nuk bëri të ditur se nga Uashingtoni do të kthehet me marrëveshje finale, por tha se do të veprojnë në përputhje me Kushtetutën. Hashim Thaçi theksoi se në këtë marrëveshje nuk do të ketë shkëmbim të territorit dhe nuk do të cënohet sovraniteti i Kosovës.