14 qershor 1940:Nazistët hapin në Poloni kampin famëkeq të Aushvicit

Rreth 6 milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për të shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.
Në kampin Aushvic humbën jetën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes apo siç kujtohen sot, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945, në të cilat u gjetën ende gjallë 7 mijë të burgosur. Por kthehemi pak pas në histori.
Në vitin 1933, Partia Kombëtare Socialiste e Punës mori pushtetin në Gjermani, me diktatorin Adolf Hitlerin si lider i saj. Nazistët kishin pasur edhe më herët mbështetje të fortë në Nuremberg dhe për arsye politike dhe më shumë praktike, zgjodhën këtë qytet për të mbajtur edhe fushatat e tyre mes viteve 1933-1938. Në shtator të 1935, ligji i Nurembergut, që shtypte të drejtat civile të hebrenjve kaloi.
Një vit më vonë, në 1936-ën, anëtarët e vjetër të Partisë Naziste, përfshirë këtu edhe Hitlerin dhe Rudolf Hess, që më pas u bë komandanti më jetëgjatë i kampit të përqendrimit të Aushvicit, mbërritën në Nuremberg për të parë qytetin e për të organizuar një takim atje si dhe për të zbarkuar trupat ushtarake, që mbajtën edhe një marshim gjatë Kongresit vjetor të Partisë Naziste.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat pushtuese gjermane ngritën kampin Aushvic-Birkenau në jug të qytetit polak të Osviecim, rreth 70 km nga qyteti i dytë më i madh i Polonisë, Krakov. Aushvic u ngrit në maj të 1940 në ish kazermat e vjetra ushtarake të Polonisë. Viktima e parë në këtë kamp u regjistrua në shtator të 1941-shit, pasi vdiq në një nga dhomat e gazit. Aushvic II apo Birkenau u hap në tetor të vitit 1941. 4 dhoma të mëdha gazi iu shtuan kampit për 3 muaj, gjer në janar të vitit 1942.
Mes viteve 1940-1945, Aushvic u shndërrua në një kamp të mirëfilltë vdekjeje, me një kompleks kazermash, fabrikash, dhoma gazi e krematoriume, ku humbën jetën thuajse 1a5 milionë njerëz, shumica prej tyre hebrenj. Grupi më i madh i viktimave, gati 75 mijë vetë, ishin polakë. Prej tyre, gati 20 mijë ishin romë.
Në fund të vitit 1941, nazistët formuluan “Zgjidhjen finale”. Vendimi për të vrarë e ekzekutuar 11 milionë hebrenj u morr gjatë Konferencës “Wannsee”, që u mbajt pranë Berlinit në janar të vitit 1942, ku zyrtarët më të lartë nazistë koordinuan lëvizjet, për atë që do të shndërrohej në makinerinë më të ashpër të vrasjeve masive në histori.
Nazistët dizajnuan dhe përmirësuan mekanizmin e ri të vrasjes së njerëzve. Të burgosurit u vranë me gaz, në dhomat e ndërtuara enkas për këtë qëllim e të pajisura me gaz-vdekjeprurës Zyklon B.
Radha për të bërë dush ishte justifikimi më i zakontë për ti marrë të burgosurit nga dhomat ku qëndronin në kamp e për ti futur më pas në dhomat e gazit. Tonelata me flokë të prera nga kokat e të burgosurve dhe rrobat e çizmet e tyre, u gjetën më vonë, pasi kampi u çlirua.
Aushvic u lirua më 27 janar të vitit 1945 nga ushtria sovjetike, ushtarët e së cilës arritën të shpëtojnë e të nxjerrin të gjallë nga kampi famëkeq 7 mijë të burgosur, pasi gjermanët u tërhoqën. Ajo dite u shnderrua ne simbolin e Holokaustit dhe perkujtohet cdo vit ne mbare boten.