Sot, përkujtojmë 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit të Popullit, Selam Musai

Selam Musai (1860-1920) lindi në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita patriotike. Ishte udhëheqës i kryengritjeve në Vlorë dhe ra heroikisht për çlirimin e saj. Mbasi u rekrutua ushtar, kaloi 5 vjet në Jemen.
Shtëpia e tij në Salari dhe stani në mal ishin kthyer në baza të rëndësishme për çetat patriotike, si ajo e Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos.
Në 1911 mori pjesë aktive në veprimtarinë patriotike të çetave që lëvizën kundër trupave turke e më pas kundër andarteve greke. Në dhjetor 1912, duke ju përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës për të mbrojtur vendin nga agresioni i forcave greke, u vu në krye të bashkëfshatarëve të tij dhe shkoi në frontin e luftës, ku u plagos. Megjithëse në moshën 60-vjeçare, doli përsëri në krye të bashkëfshatarëve të vetë të armatosur dhe të katundeve të afërta, shkoi në Vlorë dhe luftoi kundër garnizonit italian të Kotës. Pas shpartallimit të tij, Selam Musai me luftëtarët e vet u rreshtuan të gatshëm për luftime përballë garnizonit të madh të Vlorës. Në luftimet trup me trup me pushtuesit, S. Musai u vra në Qafën e Koçiut me 11 qershor 1920.