Frika e vetme e Ramës

REDAKSIONALE

Dita e djeshme shënoi një humbje të pashijshme për Ramën që për disa javë dhe muaj ka mbajtur të karikuar militantët dhe të inkriminuarit rreth vetes se do të mund të mposhte Bashën dhe PD. Për të kaluar idhtësinë e një rezultati që ai nuk e priste dhe për të mbajtur me gajret sa militantët, gjithnjë e më të pakët, aq edhe të inkriminuarit kryemnistri ka disa orë që ka vendosur të manaxhojë imazhin e vetes.

Ai vazhdon të shesë arritjen e mirëkuptimi jo si meritë e PD dhe ndërkombëtarëve por si një anësi që Rama mbajti për t’i bërë qejfin PD-së dhe Bashës. Në të vërtetë siguria e zgjedhjeve dhe qartësia e rregullave të lojës nuk janë vetëm kërkesë e PD-së por e gjithë shqiptarëve, përfshirë dhe socialistët e 2009 dhe 2019. Mirëpo Ramës ky kostum me linja të flamurit amerikan dhe BE-së i duhet për të vazhduar retorikën; Ne jemi me ndërkombëtarët dhe ato janë me ne.

Megjithëse, të gjithë e dimë që as europianët dhe aq më pak amerikanët nuk mund të jenë me një forcë politke dhe një individ që nuk do zgjedhjet e lira. Rama po do të shitet si i tillë, po kështu ai po përpiqet të krijojë një furtunë në gotë përmes aludimeve të marrëveshjeve të fshehta me Bashën. E vërteta është që opozita dhe qeveria bashkë me të ashtuquajturën opozitë parlamentare janë takuar në Pallatin e Kongreseve dhe më pas në zyrën e punës së Ambasadores amerikane Kim.

Sado që emisari i Ramës u përpoq të krijonte dhe të shtynte Bashën të puqej me Ramën, ky i fundit refuzoi. Por Ramës edhe ky dështim duhet të glorifikohet si arritje, madje akoma më shumë duhet të përflitet sikur ka ndodhur realisht. Prandaj emisarët e tij të fshehur në portale, apo publikët po i bëjnë jehonë një ngjarje të pandodhur. Shqiptarët nuk u gënjyen, prandaj dhe Rama u detyrua sot që t’i përgjigjej vetes duke vazhduar falsitetin.

Frikërat e tij duket se kanë marrë formë, i bojkotuar nga ndërkombëtarët, i kërcënuar nga drejtuesit e BE-së dhe SHBA-së, i rrethuar me oligarkët dhe kriminelët nuk i ka mbetur vetëm si t’i ofrojë shqiptarëve rrena dhe kaos. Sa më shumë ditët e zgjedhjeve afrohen, sa më shumë skandale i zbulohen aq më qartë shqiptarët do të shohin perandorinë e së keqes që Rama ka ndërtuar gjithë këto vite.

Shqipëria ka humbur 8 vjet nga sjellja e papërgjegjshme e Ramës karshi ekonomisë dhe shtetit. Shqiptarët kanë humbur jo vetëm paratë por edhe liritë në piramidën kriminale që ka ndërtuar Rama dhe ortakët e tij në krim. Të gjithë duhet të sigurohemi dhe të luftojmë që kjo të jetë shfaqja e fundit e njeriut që ka kthyer frikërat më të errëta në Shqipëri.