Protesta që shfrytëzoi përdhunimin!

Nga Indrit Vokshi

Dënimi penal nuk është një fjalë goje. Kur përmendim dënimin penal nuk duhet të imagjinojmë vetëm një palë pranga, një qeli, një shtrat dhe një orë ajrim. Nuk duhet të imagjinojmë vetëm ndëshkimin me burg. E drejta penale mbart një filozofi të sajën. Qëllimi i dënimit penal është disadrejtimësh. Me dënimin penal synohet izolimi fizik i individit të rrezikshëm që ai të mos mundet ta përsërisë krimin, synohet rehabilitimi i tij, synohet dhënia e mesazhit për shoqërinë. Pra duke ndëshkuar një individ, individëve të tjerë u jepet mesazhi se nëse do të përdhunojnë, do të izolohen në burg. A është protesta mesazh? Ironikisht gjatë kohës që po protestohej kundër përdhunimeve, gjykata liroi një grup përdhunuesish. Doli në media lajmi se u liruan “grupi i të rinjëve nga Kavaja”. Përveç dënimit edhe lirimi i shpejtë nga burgu është mesazh për individët. Duke liruar, individëve të tjerë potencialisht përdhunues, u jepet mesazh se nëse kryen krimin e përdhunimit, dënohesh krejt pak dhe lirohesh krejt lehtë. Reagimi kundër lirimit të grupit të përdhunuesve ishte krejt i vakët. Nuk kishin interes për atë lirim. Nëse duhej të kishte protestë, protesta duhej zhvilluar kundër lirimit të një grupi përdhunuesish, jo protestë pa thelb, pa shenjestër, me qëllim “edukues” me parulla provokuese të cilat jepnin mesazhe të parëndësishme e të dorës së dytë, mesazhe më shumë ekzibicioniste dhe, dukej sikur qëllimi i vërtet ishte përshfaqja e talentit poetik e jo përdhunimi. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë e trajton përdhunimin si cënim të integritetit fizik dhe moral të njeriut, nuk i mvesh këtij krimi motivet, sepse motivet nuk janë çdoherë të njejta. Ndërsa protesta e djeshme e ideologjizoi përdhunimin, duke e paraqitur atë si një luftë mes meshkujve tradicionalë dhe femrave, duke vendosur në armiqësi, përballë njëri-tjetrit, mashkullin tradicional dhe femrën, duke e përshkruar përdhunimin si problem të patriarkalizmit, kapitalizmit, konservatorizmit. Lypset sqaruar se përdhunimi si krim dënohet më egër se gjithkund, bash në ambientin konservator, bash prej burrave tradicionalë shqiptarë. Ambienti konservator shqiptar ka pranuar edhe vrasësin por përdhunuesin nuk e ka pranuar kurrë për burrë. Përdhunuesin nuk e ka kualifikuar si të barabartë, përkundrazi e ka përçmuar. Edhe në burgjet shqiptare, kush shkon i dënuar për përdhunim, nuk respektohet, vetëm keqtrajtohet. Janë vetë meshkujt të cilët e përçmojnë dhe dënojnë ketë veprim të shëmtuar dhe përçmimin e shfaqin duke keqtrajtuar përdhunuesin. Fatkeqësisht protestuesit e djeshëm nuk e njohin korpusin s vlerave tradicionale shqiptare. Prandaj janë të pabaza dhe qesharake parullat të cilat synojnë ta identifikojnë përdhunimin me mashkullin tradicional shqiptar. Për ta përforcuar ketë, na vjen në ndihmë numri i lartë i përdhunimeve të cilat ndodhin në ambiente liberale e libertine, gjatë dehjes së përbashkët, gjatë shfrenimit, gjatë punës etj. Skandalet e denoncuara botërisht nuk duket se kanë ndodhur në ambiente konservatore, përkundrazi kanë ndodhur në hemisferën sociale të artit dhe muzikës. Pra përdhunimi nuk është ekskluzivisht veprim i patriarkalëve, konservatorëve, fshatarëve, aq më tepër i shqiptarëve, siç shpallnin disa qyqe në protestë. Çfarë thuhet për përdhunimet dhe dhunën në ambientet libertine? Ideologjizimi i përdhunimit në shërbim të luftës “E vjetër vs E re”, vetëm sa i nxjerr shëmtuar dhe i nxjerr përdorues të rëndomt të fatkeqësisë për interesa politike, ideologjike, protagonizmi dhe fondesh. Kërkesa për edukim vlen mirëpo edukimi nuk përmbyll gjithçka. Ka raste të familjeve shqiptare kur fëmijët kanë kryer krime, pa u frymëzuar e pa u nxitur prej familjes, duke pasur prindër shembullorë. Përdhunimi ngjan më shumë si gacë e një vullkani të fjetur kompleksesh dhe minusesh brenda mashkullit, konservator a libertin qoftë, komplekse të cilat nuk mund të shuhen dhe kurohen me edukim por, mund vetëm të frenohen dhe terrorizohen me mesazhin e demaskimit dhe burgosjes për shumë vite. Ndaj mesazhi i dënimit penal ka rëndësi parësore. Mirëpo çuditërisht, protesta e djeshme u kujdes për ideologjizimin dhe politizimin e përdhunimit dhe nuk u përmend lirimi i përdhunuesve të Kavajës. Ta përdredhësh dhe ta përdorësh përdhunimin duke mos u marrë me arsyet e vërteta, dmth ta amnistosh atë. Protesta duhej të ndodhte pardje sepse pushteti kandidoi persona të dênuar për përdhunim, duhej të ndodhte sot, sepse lirimi i përdhunuesve ishte një mesazh ku i thuhej shoqërisë shqiptare se nëse përdhunon, dënohesh pak.