ANALIZA | Zaev, Tsipras dhe Kurti: Sfidat dhe Mësimet

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Me apo pa paramendim, Albin Kurti ia la bajrakun Avdullah Hotit. Nuk e bëri dorëzimin e detyrës pasi muaj më parë e kishte shkarkuar. “Nuk ia dorëzoj detyrën një njeriu që e kam shkarkuar”, ishte i prerë Kurti, edhe pse e dinte se bën një presedan institucional. Tipike për temperamentin e tij.

Kurti, më mirë thënë, ia lëshoj Hotit në dorë “patatet e nxehta”. Gjasat që të kthehet më i fuqishëm në pushtet janë të mëdha sepse qeveria Hoti do të jetë qeveri e marrëveshjeve të rënda. Marrëveshja historike që pritet të arrihet midis Prishtinës dhe Beogradit padyshim se do të ketë çmim politik për nënshkruesit e saj në të dyja shtetet.

Qeveria SYRIZA në Greqi, e drejtuar nga lideri i së majtës Alexis Tzipras – pasi zgjodhi çështjen e emrit me Maqedoninë e Veriut – i humbi zgjedhjet parlamentare në korrik të vitit 2019. Me Marrëveshjen e Prespës, e nënshkruar në maj të vitit 2017, sikur i kreu një punë të madhe të djathtës Nea Demokratias të Kiriakos Mitzotskis, i cili tash është kryeministër i Greqisë. Babai i tij, Konstantinos Mitzotskis, ishte i pari që u ballafaqua me problemin e emrit në vitin 1991, kur fqinji verior shpalli pavarësinë. E që atëherë ishte një barrë të madhe për Greqinë pasi në nivel ndërkombëtar sfidonte imazhin e vendit ku lindi demokracia.

Tash të presim të shohim fatin e LSDM-së, – parti e majtë e drejtuar nga Zoran Zaev, – nëse i ka pastruar rrugën VMRO-DPMNE-së së djathtë të Hristijan Mickovskit me pranimin e marrëveshjes me Greqinë e SYRIZAs. Verës do ta dimë përgjigjen, kur priten të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Edhe pse të tre i takojnë spektrit të majtë politik, Kurti ka më shumë ngjashmëri me Tsipras sesa me Zaevin. Të dy u ngjitën majave të politikës me protesta anarkike. Por, Kurti nuk dëshiroi të ecë rrugës së Tsiprasit – i lavdëruar jashtë shtetit, e i mundur brenda. Plani i tij duket të jetë më afatgjatë. Ndërtimi i narrativit se di të fitojë mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e ardhshme do të thotë se ai pret të kthehet si kryeministër, i votuar nga dy të tretat e deputetëve. Normalisht, bashkë me një partner koalicioni që nuk do të ketë asnjë fuqi brenda pasi qeveria nuk do varej nga ai. E kjo hap dilemën nëse ndryshimi i Kushtetutës është pjesë e planin afatgjatë të tij.

Sido që të jetë, Kurti dha disa leksione se si duhet të punojë një kryeministër, por njëkohësisht mori disa mësime se si duhet të luajë në skenën politike.

Mënyra e qeverisjes së tij, megjithatë, vendosi disa standarde të munguara në menaxhimin e të mirave publike. Rritja e përkrahjes për të është sinjal te partitë tjera se duhet të ndryshojnë në forma dhe përmbajtje. Kurti e filloi ndryshimin e realitetit politik në Kosovë, ku ngriti në model profilin e politikanit mendimtar. Në zgjedhjet e ardhshme mbase sërish do të fitojë, kurse jetëgjatësia e tij në pushtet do të varet nga kapaciteti reformues i partive tjera.