Dhuna si pasojë e arsimit dhe shtetit të kalbur!

Nga Silvi BANO

Prej ditësh në faqet e para të gazetave e në ato të portaleve shkruhet togfjalëshi “Ngjarje e rëndë, përdhunohet adoleshentja”.
Kjo, padiskutim, është një ngjarje që na ka tronditur të gjithëve për të disatën herë brenda pak muajve.

Por a e dini vërtetë se kush është ngjarja më e rëndë?!

Ngjarja e rëndë është sistemi i kalbur ku bëjmë pjesë, rrethi vicioz në të cilin keqazi kemi ngecur e jemi ngatërruar …

Po, po sistemi të cilin edhe vetë ne ndonjëherë e ushqejmë nga pak dita-ditës me kalbësi.

Flasim për “Check and Balance” flasim për Integrimin Europian, pa integruar dhe edukuar arsyen, shpirtin e ndërgjegjien e shoqërisë tonë më parë …

Ka ditë që çirreni dhe lëshoni lot krokodili nëpër studio televizive kush e kush të kërkojë më shumë ashpërsimin e Kodit Penal, kush e kush t’i dalë më fort krahë 15-vjeçares, kush e kush të thërrasë për mbrojtjen e fëmijëve…

Përpara se të shisni moral e të flisni në tym, meqë aspirojmë të jemi si perëndimi dhe perëndimorët, atëherë mendoni sado pak objektivisht…

Si fillim, para se të kërkojmë ashpërsimin e Kodit Penal, duhet të pyesim a zbatohet Kodi Penal aktual dhe si?! Përse ka ndodhur që kemi recidivistë, përsëritës, të këtyre lloj veprash?

Kodi Penal parashikon dënim me minimum 5 vite dhe me një maksimum prej 20 vitesh kur vepra “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur ” është e kryer në bashkëpunim, ama nga praktika jemi dëshmitarë se raste të tilla i’a kanë hedhur paq me 4 vite me argumentin se “merren parasysh” disa lehtësira.

Ajo që lehtazi kuptojmë nga sa paraqita më sipër është se problemi real nuk qëndron tek marzhi i dënimit, por tek zbatimi jo korrekt i ligjit, ku integriteti i gjyqësorit dhe i disa të ashtëquajturve ekspertë e psikologë blihet me 500 €urot e famshme në kurriz të fëmijëve tanë.

Kodi Penal është, kërkoni zbatimin !

Së dyti, shohim hallkën më të rëndësishme dhe kyçe të shoqërisë, ARSIMI.

Rastet e fundit të abuzimit kanë qenë kryesisht të lidhura me shkollën, ku mësues e roje shkolle shkatërrojnë jetët e atyre që nesër do të jenë e ardhmja jonë.

Çfarë po ndodh në arsimin shqiptar?

Jo më larg se ditën e Hënë, Ministrja e Arsimit shprehej se këto ngjarje nuk zgjidhen vetëm me Kod Penal, por edhe me komunikimin e prindërve me fëmijët dhe ndryshimin e mentalitetit.

Po e vërtetë, duhet të ndryshojë komunikimi prind-fëmijë, por jo të gjithë e kanë fatin të jetojnë në qendër të qytetit, të kenë prindër të arsimuar e të edukuar dhe me mentalitet perëndimor si Ministrja.
Ndër të tjera ajo shprehet se për të “shndërruar” shkollën në një ambient të sigurtë do të marrë disa masa.

Çfarë nuk shkon që u dashka shndërruar tani ?!
A nuk është shkolla një ambient i sigurtë ?!

Ata prindër që ju, edhe me të drejtë i drejtoheni, por të cilët s’kanë patur fatin të kenë kualifikime si ju …
Ata prindër që rropaten për të fituar bukën e gojës, Besë, t’i kanë BESUAR ty gjatë ditës fëmijët e tyre, që t’ua edukosh e arsimosh dhe jo t’ua ndrydhësh e përdhunosh !

Së fundi, po ngrihuni, thërrisni fort kundër abuzimeve, sepse protesta është e drejta jonë kushtetuese, ama ngrijeni zërin përherë jo vetëm kur një rast bën bujë dhe kur duhet të reklamoni OJF-në tuaj të rradhës, fondet e të cilave nuk dihet se ku shkojnë…

Prandaj, përpara se të çirreni ekraneve sa herë ndodhin ngjarje të rënda, është mirë që të integrojmë arsyen, ndërgjegjien, shpirtin tonë, për të kuptuar si duhet të gjithë tablon e “Ngjarjes së Rëndë” ku shoqëria dhe shteti jonë gjendet…

Nëse aspironi vërtetë Europën atëherë vini në punë arsyen përpara “ndjeshmërisë” tuaj false në ekrane, tregohuni si ta nëse keni këllqe … vetëm atëherë do të lind ndryshimi !