REPORTAZH| Në mes të qytetit dalin të palarat

Nga Gersi Kokonozi

Në Tiranën e gati një milion banorëve, nga lindja në perëndim të qytetit, lëshohet një aromë që i ngjall krupën kujtdo. Nuk vjen nga rrugët e betonizuara, as nga balta e rrugicave, as nga banesat e lëna në harresë, madje as nga pallatet ngjitur e ngjitur që nuk ngjajnë me njëra-tjetrën. Kjo aromë vjen nga Lana, lumi që përshkon kryeqytetin tonë mes për mes. E fyer, e poshtëruar, madje edhe e gjelbëruar anash, Lana rrugëton prej vitesh po e njëjta.

Nga shpati i djathtë i Dajtit, nga përroi i Shëmrisë, Lana sjell ujërat e shiut, për të marrë me vete gjatë rrugëtimit gjithë ujërat e zeza të kryeqytetit. E gjithë Tirana shkarkohet në Lanë dhe një pjesë e jona lundron aty çdo ditë nën hundën tonë.

Të vjetrit na thonë se dikur në lumin e Lanës banorët e qytetit lanin rrobat. Ndoshta kjo shpjegon edhe emrin që mori lumi, një vend ku lahesh ose lan diçka. Pra ka të bëjë me larjen, me pastrimin. Krejt e kundërta me kohën e sotme, kur kushdo që rastisë të kalojë pranë Lanës zë hundën me dorë e largohet me të shpejtë.

Pranë urës së Tabakëve ku kalon Lana, dikur gratë myslimane lanin teshat dhe tabakë e terzinj shpëlanin lëkurët. Këtë na e tregon dhe kjo pikturë e Eduard Lear, piktorit të famshëm anglez.

Piktura është e vitit 1848 dhe është prej serisë së famshme të piktorit anglez gjatë shtegtimit të tij në Shqipëri në ato vite. Aty vihet re dhe një kope që zbret në lumë për të pirë ujë. Tirana në atë kohë ishte një qytetth i vogël dhe kushtet mjedisore ishin të favorshme për dendësinë e popullësisë.

Pasi Tirana u bë kryeqytet dhe popullësia filloj të rritej, u pa me vend që tek lumi i Lanës të kishte ndërhyrje. Në vitet 30’ u vendos një shtrat betoni mes rrugës së Elbasanit dhe Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Gjatë kohës së diktaturës kjo vijë betoni u shtua deri tek unaza dhe gjatë demokracisë deri tek Pallati me Shigjeta. E thënë ndryshe, çdo regjim i ka dhënë një të shtyrë Lanës dhe sigurisht i ka shtuar dozën e ujërave të zeza.

Pas viteve 90’ deri në fillim vitet 2000, buzë Lanës filluan të lëvrinin aktivitete tregtare, ose siç njiheshin ndryshe Kioskat, të cilave iu dha fund nga kryetari i bashkisë në atë kohë.

Popullsia e Tiranës rritej me ritme të përshpejtuara. Nga 250 mijë banorë në fillim të viteve 90’ në 600 mijë banorë në vitin 2001. E tashmë në vitin 2020 jemi afër 1 milion banorëve. Gjatë gjithë kësaj periudhe të lëvizjeve të mëdha demografike dhe të ngjeshjes gjithnjë e më të madhe të aktiviteteve të përditshme të banorëve të Tiranës si dhe shtimit të banesave të reja, pallateve, apartamenteve; problemi i lumit të Lanës dhe i ujërave të zeza është po i njëjti. Madje shtimi i popullësisë dhe rritja e konsumit bie mbi kurrizin e Lanës.

Si ta ndreqje meselenë e Lanës ka qenë dhe mbetet gjithmonë shqetësuese për çdo qeverisje. Mirëpo mesa duket më shumë shqetësuse dhe bezdisëse është për qytetarët sesa për administratën. Ekspertët tregojnë se po të mos shkarkohen ujërat e zeza në Lanë, lumi ngelet pa ujë. Pra Lana është shndërruar në 100 vitet e Tiranës kryeqytet, nga lumë në një kanal të ujërave të zeza në qiell të hapur.

Sigurisht që ka pasur ide dhe projekte për rregullimin e saj. Një ndër to ka qenë që Lana të bllokohej dhe sipër saj të shtrohej një bulevard. Disi utopike si plan. Një tjetër që është trumpetuar me të madhe në media para disa vitesh ka qenë për krijimin e një impianti për mbledhjen e ujërave të zeza në Kashar. Impianti do grumbullonte gjithë pisllëkun e Lanës dhe do e kthente të pastër. Ky impiant filloi të ndërtohej në vitin 2016. Mirëpo ky kantier u bllokua nga Ministria e Infrastrukturës në vitin 2018. Nga ministria pretendohet se të gjitha fondet janë harxhuar për gjysmën e punimeve. Firma e ka hedhur qeverinë në arbitrazh në Londër për anulim të paligjshëm të kontratës. Duket si një rast i ngjashëm apo jo?!

Nga ana tjetër Lana vazhdon rrugëtimin e saj. E sikur të mos i mjaftojnë shkarkesat tona të shkujdesura nga shtëpia, kalimtarë të rastit, të dëshpëruar për gjetjen e një koshi plehërash, shohin aty një mundësi të artë për të hedhur mbeturinat që i bezdisin duart.

Tirana e Bllokut, e universiteteve private, e makinave të shtrenjta, e bar-lounge cep më cep, e betonizimit miliona euro të çdo lagjeje dhe tashmë e kullave që po mbijnë si kërpudhat, ka një njollë të zezë që përshkon gjithë qytetin ku secili nga ne ka pjesën e vet aty brenda.

Një miliard lek për t’i rënë përsipër Parkut Rinia, 30 milionë euro kërkohen për teatrin e ri, disa kulla në qendër kanë filluar nga puna, e të gjitha këto ndodhin ndërkohë që qyteti kalbet nga era e Lanës dhe nuk hidhet asnjë qindarkë për të paktën rikonceptimin e ujërave të zeza të kryeqytetit. Të flasësh për ndotjen e një lumi që përshkon qytetin nga lindja në perëndim është diçka jetike. Nevoja për një menaxhim më të mirë të ujërave të zeza është diçka që i përket të gjithë komunitetit. Nuk mund të jetë një çështje që të mos i interesojë organeve kopetente.

Kushdo e di se në qytetet europiane shëtitja apo pikniku buzë lumit është një gjë e zakonshme dhe shplodhëse. Një kryeqytet europian është fatlum të ketë një lum mes për mes saj dhe është e domosdoshme – minimalisht – që ky lum të jetë i pastër e i rregullt. Të gjithë e presim ditën kur buzë Lanës fëmijët do luajnë e pleqtë do pushojnë.