Lufta e pashmangshme totale e Ramës dhe “rënia” e Reformës Zgjedhore

FITIM ZEKTHI

Vendi nuk është në një krizë të zakonshme. Ne nuk kemi një krizë politike, një krizë ekonomike apo një krizë të institucioneve si diçka të tillë në vetvete. Shqipëria është në një krizë organike, që do të thotë se është në një krizë të gjithanshme të çdo qelize të jetës së vendit, që nga politika, ekonomia, shëndetësia, arsimi, zbatimi i ligjit, besueshmëria e shkatërruar dhe në krye të të gjithave një qeveri që është shndërruar në mbartësen e vetme të çdolloj pushteti, me qëllimin e vetëm konfirmimin dhe konsolidimin e këtij pushteti.

Studiuesit, këtë formë të qeverisjes dhe rendin që ajo prodhon e quajnë sot neopatrimonializëm. Christopher Clapham, nga London School of Economics, thotë se kemi të bëjmë me një formë organizimi (më e pakta politik) ku marrëdhëniet patrimoniale dhe klienteliste depërtojnë të gjithë shtetin dhe administratën, në të gjithë sektorët ekonomikë dhe joekonomikë të vendit dhe ku pushteti i çdo zyre përdoret në funksion të ndërtimit të një kontrolli vertikal, të një marrëdhënieje padron-klient nga zyrtari më i lartë te fshatari më i humbur. Paratë publike, të mirat publike, si leje, tenderë, koncesione, vende pune etj., janë pjesë e këtij zinxhiri kontrolli. Në këtë zinxhir, në këtë hierarki apo marrëdhënie vertikale padron-klient, përfshihen edhe njerëz nga bota e krimit dhe e trafikut, të cilët bëhen pjesë e vendimmarrjes politike.

Ky rend neopatrimonialist ka vetëm një qëllim, atë të konfirmimit dhe të konsolidimit të vetes, të ruajtjes së pushtetit. Ky rend apo ky neopatrimonializëm që ka në majë të tij qeverinë e ka shumë të thjeshtë të blejë zgjedhjet ose t’i bëjë ato në formën apo mënyrën që konfirmojnë atë. Në zgjedhjet e vitit 2017, në mënyrë kirurgjikale, qendër votimi pas qendre votimi ky rend neopatrimonialist i kontrollit vertikal të shoqërisë dhe ekonomisë bleu aq vota sa i duheshin për të marrë ose mbajtur pushtetin. Ky lloj rendi drejtohet nga tri forca (ose nga një aleancë prej forcash të bëra një). Janë njerëzit e Kryeministrit që vijnë nga Partia Socialiste ose lidhje të tjera politike, janë njerëzit e biznesit që marrin para publike, të mira apo koncesione dhe janë njerëzit e botës së krimit që janë thirrur në qeverisje. Ky rend e ka shumë të lehtë që të blejë 10%, 20% apo edhe më shumë të zgjedhësve në çdo qendër votimi sepse i ka njerëzit, i ka paratë, e ka organizmin dhe sofistikimin, e ka pushtetin. Kjo lehtësohet krejt për shkak se shumica e njerëzve që blihen dhe e atyre që blejnë janë pjesë e zinxhirit neopatrimonialist. Rasti i zgjedhjeve për Bashkinë Dibër dhe rasti i zgjedhjeve parlamentare në Durrës, për të cilat bota mësoi të vërtetën nga gazeta “Bild” janë pa dyshim dëshmi e këtij rendi nepopatrimonolist dhe e fuqisë së tij, por janë gjithsesi vetëm shumë pak, ndoshta as maja e ajsbergut.

Në këto kushte, debati që po zhvillohet aktualisht për Reformën Zgjedhore po bëhet në terma krejt të parëndësishëm. Blerja e zgjedhjeve ose manipulimi i tyre nuk është në thelb problemi i vërtetë i Shqipërisë. Problemi i vërtetë i Shqipërisë është kriza organike si pasojë e rendit neopatrimonalist që ka ndërtuar qeverisja e Kryeministrit Rama. Ky rend nuk do të lejojë kurrë që forca kundër tij, qoftë ajo edhe Ambasada e SHBA apo e Gjermanisë, qoftë ajo opozita apo PD dhe kryetari i saj ta rrëzojnë atë me zgjedhje. Ky rend ka një shtysë të brendshme që buron nga vetë natyra e tij për të bërë gjithçka që të konfirmojë pushtetin. Ky rend neopatrimonialist i ndërtuar nga Kryeministri Rama, nuk është diçka që lindi aty për aty dhe as diçka që u ngrit rastësisht apo nga ndonjë rrethanë rastësore. Ai është ndërtuar me kujdes, me këmbëngulje, me llogari dhe është shtyrë përpara me forcë nga epshi i thellë dhe shkatërrimtar për pushtet dhe nga marrëveshja me djallin, në të cilin e shtyu ky epsh për pushtet.

Kësisoj, përpjekja për të bërë një Reformë Zgjedhore duke ndryshuar Kodin Zgjedhor, duke “depolitizuar” administratën zgjedhore, duke ia hequr të drejtën e gjykimit kolegjit dhe dhënë atë Gjykatës Kushtetuese, duke hapur listat apo ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së deputetëve janë përpjekje që nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira. Edhe sikur Këshilli Kombëtar i PD-së ta drejtojë administratën zgjedhore, edhe sikur të vijnë gjyqtarë nga Gjermania për të shqyrtuar çështjet, edhe sikur ta bëjnë sistemin e ndarjes së deputetëve me një formulë të fshehtë që ka drejtësi hyjnore, të cilën e njohin vetëm aktivistët e shoqërisë civile apo Rudina Hajdari, përsëri rendi neopatrimonial i ndërtuar dhe kontrolluar nga qeveria e Kryeministrit Rama do t’i blejë votat. Pavarësisht kësaj, makthi nga kufizimi sado i vogël i mjeteve të blerjes së votave, ka bërë që Kryeministri Rama të mos lejojë as arritjen e ndryshimeve që nuk prekin në thelb rendin e tij neopatrimonialist. Ai nuk po lejon as plotësimin e kërkesave të opozitës për identifikimin biometrik të votuesve, as kalimin e çështjeve për gjykim në Gjykatën Kushtetuese dhe as ngritjen e një administrate zgjedhore të besueshme nga palët.

Ky rend apo ky mekanizëm i ndërtuar nga Rama për të blerë zgjedhjet është pak a shumë si kuçedra e folklorit tonë, e cila ka bllokuar ujin e burimit dhe në fshat ka pllakosur etja, ka rënë zia e bukës dhe thatësira po zhduk gjithçka. Kuçedra nuk mund të vritet, sepse sapo i pret një kokë (kuçedra ka shumë koka) ajo përtërihet menjëherë. Pra, edhe po t’i presësh një kokë, edhe po t’i heqësh kontrollin e KQZsë, ose po të kalosh çështjet për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, ose po të bësh identifikim biometrik etj., kuçedra ka fuqinë të përtërihet, të rrijë gjallë dhe të kontrollojë përsëri burimin. Kuçedra e merr fuqinë nga një gjarpër që rri fshehur në një guvë në mal. Për të ndalur kuçedrën, duket kapur, vrarë apo neutralizuar gjarpri. Pra, ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është neutralizmi, largimi i qeverisë.

Opozita duket se e ka të qartë këtë gjë. Ajo, për shkak të nevojës për të bërë politikë, për shkak të nevojës për të përmbushur detyrimet dhe kërkesat e ndërkombëtarëve, po përpiqet të negociojë, të ofrojë opsione për të kufizuar rolin e qeverisë në zgjedhje. Opozita duhet ta bëjë këtë gjë patjetër. Në fund të fundit, opozita duhet të tregojë thjesht në çfarë ane është.

Për të kuptuar në të tërën e vet këtë rend neopatrimonialist, për të kuptuar fuqinë dhe këmbënguljen e vetë rendit për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira, duhet të kuptojmë më mirë disa aspekte bazë, të cilat shtynë apo bënë të mundur ngritjen e këtij rendi, krijimin e kësaj strukture pushteti apo krijimin e këtij regjimi pushteti. Shkurt, si arritëm, pse u arrit, çfarë forcash çuan në këtë lloj pushteti të sotëm. Në këtë mënyrë do të kuptojmë edhe më mirë atë që po ndodh me Reformën Zgjedhore dhe ngërçin e thellë aty.

Për pushtetin është folur shumë dhe në mënyra të ndryshme, por ajo që thotë Erik From se ai është i rrënjosur te dobësia dhe jo te forca, gjendet në zemër të mendimit të shumë e shumë autorëve në çdo kohë. Pra, dobësia, duke qenë për shumë njerëz shtysa e kërkimit të pushtetit, i ka shtyrë ata të përdorin mjete nga më të ndryshmet dhe më shkatërrimtaret për të arritur pushtetin (i cili në njëfarë kuptimi nuk arrihet kurrë, pasi dëshira për të rritet pa mbarim dhe çdo pushtet duket gjithnjë i vogël).

Kjo lojë ose përdorimi i çdo mjeti për të fituar pushtet, nën shtysën e dobësisë, zakonisht njihet si marrëveshja me djallin. Në mënyrë të mrekullueshme kjo marrëveshje shkatërrimtare trajtohet nga Oskar Wilde në librin shumë të njohur “Portreti i Dorian Greit”.

Dorian Grei, një djalë i bukur narcis, është muza e një piktori, Basilit, i cili i bën atij një portret. Lordi Henri Wotton, një aristokrat, adhurues i kënaqësive pa ndonjë kufi moral, thotë gjatë kohës që Basil po bënte portretin e Greit, se e vetmja gjë e rëndësishme në jetë ishte ndjekja e kënaqësive. Grei mendon se kjo gjë duhet të niste me bukurinë dhe atij i shkrep në mendje ideja e të qëndruarit i ri dhe i bukur dhe e vjetrimit dhe e ndryshimit të portretit që bënte Basili. Nën ndikimin e thellë të Lordit Wotton, Grei fillon të ndjekë plotësisht kënaqësitë që kishin të bënin me anën seksuale.

Ai sheh një vajzë, Sibil, aktore. I vardiset. Të dy bien në dashuri me njëri-tjetrin. Grei fton Basilin dhe Lordin Wotton të shohin Sibilën në një vepër të Shekspirit, ku ajo luante rolin kryesor. Lordi Wotton dhe Basili nuk e pëlqejnë lojën aktoreske të Sibilës dhe mendojnë se Grei ka rënë në dashuri me të sepse jo se është e bukur, por sepse ajo është aktore e mirë. Grei ndahet nga Sibil duke i thënë se ajo ishte aktore e dobët dhe se bukuria e saj e vërtetë duhet të ishte aktrimi.

Pa bukurinë e aktrimit, atij nuk i interesonte Sibil. Sibil bie në depresion. Pak më pas, Grei pendohet dhe kërkon të pajtohet me Sibil, por ajo kishte vrarë veten.

Kur shkon në shtëpi, Grei sheh se portreti i tij kishte ndryshuar. Dëshira e tij ishte realizuar. Grei ishte po njësoj, ndërsa portreti ishte errësuar dhe kishte shenja të një njeriu mizor. Grei kupton se tashmë jeta e tij ishte në rrugën e ndjekjes së epshit, kënaqësive, pushtetit që kishte fituar duke mbetur i ri dhe i bukur. Ai vazhdon 18 vjet këtë jetë. Gjatë këtyre viteve kryen edhe disa vrasje. Vret Basilin, piktorin që i bëri portretin, sepse ai i kërkoi që të hiqte dorë nga ajo që po bënte. Ai vret edhe një kimist, të cilit i kërkoi të zhdukë trupin e Basilit.

Gjatë këtyre 18 viteve jetë pas epshit, kënaqësive, vrasjeve dhe mashtrimeve, Grei ishte i ri dhe i bukur si ditën kur Basili i bëri portretin, ndërsa portreti ishte vjetruar, tregonte një njeri skëterrë, mizor dhe të ndyrë që plakej keqas. Në një moment, Grei i thotë Lordit Wotton se do të ndryshonte dhe do të jetonte në mënyrë të ndershme nga ai moment. Kur shkon në shtëpi dhe sheh portretin, vëren se portreti ishte bërë edhe më i errët dhe më i shëmtuar. Pra, kur Grei tha se do të ndryshonte duke jetuar me ndershmëri, ishte i pandershëm. Ai e bëri këtë nga vaniteti, kurioziteti dhe dëshira për përvoja të reja, por jo për të ndryshuar moralisht. Atëherë, Grei vendos të shkatërrojë portretin e tij. Ai qëllon me thikë mbi portretin e tij. Dëgjohet një zhurmë e madhe dhe kur shërbyesit vijnë në dhomë shohin një plak të shëmtuar, rrëzuar përtokë i vdekur, me një thikë të ngulur në zemër dhe portretin që ishte kthyer në gjendjen e tij fillestare.

Ky libër i mrekullueshëm, i lexuar gjerësisht, na ndihmon për të kuptuar në përgjithësi pasojat e marrëveshjeve të tilla, pasojat e dëshirave të tilla.

Qeveria e Kryeministrit Rama dhe vetë ai kanë vendosur që nëpërmjet propagandës së pakufishme të përpiqen të ruajnë të paprekur pamjen e tyre të para disa viteve kur nuk ishin në pushtet ose sapo morën pushtetin, kur iu thanë njerëzve se do të ndërtonin një qeveri që do të luftonte krimin, trafikun, do të zhvillonte ekonominë, do të mundësonte liri ekonomie, vende pune dhe zhvillim.

Ashtu siç portreti, të cilin Grei e mbylli në arkë, vjetrohej, bëhej i shëmtuar dhe tregonte mizori dhe ligësi, edhe ajo që bën në të vërtetë qeveria tregon lidhje me krimin, trafikun, korrupsion, varfërim për njerëzit. Ashtu si Dorian Grei teksa pozonte për portretin që po i bënte Basili dëshironte të rrinte i ri dhe i bukur, dëshironte pushtet dhe jetë të shfrenuar pas epshit dhe kënaqësive, ashtu edhe qeveria e Ramës dhe vetë Rama, teksa lajmëronte krijimin e skuadrës së Rilindjes, fliste për Shqipërinë e re që do të ndërtonin, bënte marrëveshje dhe fuste në politikë njerëz që vinin nga lidhje kriminale të trafikut dhe drogës.

Ashtu siç Grei pranoi marrëveshjen me djallin për të jetuar gjithnjë i ri dhe me pushtet të plotë për të jetuar çdo kënaqësi trupore nën ndikimin e Lordit Wotton (që ishte djalli), edhe Rama që në krye të herës kur ishte në opozitë (e thelloi më pas) bëri këtë marrëveshje me djallin dhe thirri në ekipin e tij njerëz të pasur, njerëz me lidhje me botën e krimit në mënyrë që të merrte pushtetin dhe më pas të jetonte “jetën kryeministrore”, duke dominuar politikën dhe vendin, duke mbjellë vendin me hashash, duke e zhytur ekonominë në klientelizëm, duke kontrolluar me “djallin”, me të cilin bëri marrëveshje gjithçka.

Dëshira greiane, e cila është në thelb e parealizueshme, e cila e bën njeriun qenie shumë të dobët, bën që kërkimi i pushtetit të kthehet në qëllimin e vetëm. Në funksion të këtij qëllimi të vetëm, ky njeri i dobët bën çdo marrëveshje dhe mund të prodhojë regjime pushteti shumë të këqija, shkatërrimtare për njerëzit, por edhe atë vetë. Largimi i qeverisë në këto kushte është zgjedhje edhe për vetë Kryeministrin, ndonëse atij kjo i duket fundi i botës, ai është duke menduar për mandat të tretë, të katërt, të pestë dhe për dekada të tjera në pushtet.

more recommended stories

loading...