Rusi, Putin vendos kur do të votohen ndryshimet kushtetuese

Presidenti Rus Vladimir Putin ka caktuar datën 1 korrik kur rusët do t’u drejtohen kutive të votimit për ndryshimet kushtetuese në vend. Mediat ruse njoftojnë se me anë të këtyre ndryshimeve, Putinit i mundësohet që të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036. Presidenti rus e ka marrë këtë vendim, në një takim me pjesëtarët e ekipit që kanë hartuar projektligjin Kritikët e Putinit kanë bërë me dije se këto ndryshime janë bërë me qëllim për rritjen e pushtetit të tij edhe për 12 vjet. Mandati aktual i presidentit përfundon në 2024. Putini është në pushtet prej 20 vjetësh, nga 31 dhjetori i vitit 1999, kur ka zëvendësuar presidentin e atëhershëm Boris Jelcin. Deri në vitin 2008 Putini ishte president, ndërsa në vitet 2008 – 2012 kryeministër. Më 2012 ai këmbeu pozicionet me Medvedevin, dhe ka marrë postin e presidentit ku do të jetë deri në vitin 2024.