Nuk i hymë në punë as dreqit!

Nga Erti Poka

Ngjarjet e fundit kudo nëpër botën tonë të vogël më kanë bërë të reflektoj mbi një fakt të pandryshueshëm, që e kam ditur me kohë, po vetëm tani munda ta vërtetoj shkencërisht. Nuk na e ka fajin as dreqi as shejtani, po neglizhenca dhe indiferentizmi.
Populli i 1 milion kafeve me popullsi gati 3 milionë banorë(1 kafene për 3 veta) e vërtetoi sërish se fajin e ka vetë për gjithçka e mirë t’i bëhet. Ndërkohë që gjithë bota po zien nga brenda e po tregon faktin se janë vigjilent ndaj gjithçkaje që ndodh duke qenë të bashkuar, ne krihemi e kjo tregon saktësisht se çfarë pozicioni kemi në atë proverbën e famshme që e përdorim aq shumë(fshati digjet…).
Koha e revolucioneve me prerje kokash të modelit francez ka ikur me kohë, po ashtu edhe koha e revolucioneve borgjeze të stilit rus e kubanez e askush nuk po kërkon rrëzime madhështore të sistemeve. Ajo çfarë na duhet sot janë ca njerëz me ndërgjegjie, e po ti kishim do bërtisnim me të madhe “Eureka” se zbuluam një specie në zhdukje. Shqipet shqetësohen shumë kur Kim Kardashian humb ca folloëers, madje edhe kur Cristiano Ronaldo bën llafe me gruan, po askujt nuk i intereson kur fëmijët abuzohen seksualisht, kur prap fëmijet rrihen rrugëve nga shteti e kur ndodhin gjëra pafundësisht poshtë hundës tonë, jo aspak, është krejt normale, Shqipëri hesapi, jemi mësuar, hajde ikim për Gjermani, Francë, Angli edhe ja hodhëm.
Mund të tingëllojë si krahasim a ku di unë, po ne në kuptimin e parë të fjalës nuk i hymë në punë as dreqit. Për çfarë do na donte kur ne një e dy do i thonim, hajde ulemi në kafe, ndërkohë që në ferr do bëhej nami, për çfarë do na donte kur jemi aq të pagdhendur saqë po na u fute me shpullë të kthejmë faqen tjetër, për çfarë do i duheshim kur nuk ngrihemi për asgjë veçse për të shkuar nga një dhomë te dhoma tjetër e pastaj në tualet?! Ore, mirë mo mirë se andej nga bota juaj perfekte, nuk ka kshu gjëra getosh, po nesër mund të jeni vetë. E kur të jeni vetë s’do ju mbrojë as partia, as kryetari, po edhe duart tuaja do ju tradhëtojnë.
Në ferrin e Dantes ka vend për të gjithë hipokritët, madje janë komshinj me djallin në rrethin e tetë. Po dyshoj t’iu interesojë shumë çfarë ndodh në jetën tjetër(për ata që besojnë) kur nuk e vrisni mendjen ça ndodh në këtë botë. Mua për vete me intereson kjo bota më shumë sesa ajo tjetra, po kshu si po veprojmë nuk do e bëjmë dot më diferencën midis botës tonë dhe ferrit. Ah, se desh harrova, futini në burg këta përdhunuesit, dhunuesit e skizofrenët me nga 2-3 vite, se gjatë kësaj periudhe vetëm sa do i shtohet dëshira që kur të dalin t’ja nisin nga e para. E më besoni, që nëse rrimë si bufa duke hapur sytë nga qielli, do na vijë rradha edhe neve një ditë. Populli i vetëm që për t’na çuar nga kafja, duhet t’na qerasësh me ndonjë kafe tjetër. Edhe diccka të fundit se mos harroj. Sa sterilizoni qentë e shkretë të rrugëve, sterilizoni kta qentë e tjerë me pamje njeriu.Rroftë plazma dhe kolltuku!