Indrit Vokshi – Kriza në Shqipëri, nuk zgjidhet!

Nga Indrit Vokshi

Kjo krizë ka nisur në ketë kahje në vitin 2009, vit kur nisi përplasja e fortë ndërpartiake. Ka kulmuar në vitin 2011 dhe, ka vazhduar, deri sot. Kemi 11 vjet në ketë krizë të kësaj natyre.

Prej 11 vitesh, institucionet, ligjshmëria, sistemi i referencës demokratike, vetëm bjerren, vetëm shkojnë në rënie, vetëm zhyten dhe humbin. Prej 11 vitesh nuk mund të nënvizohet asnjë hap demokratik e konstitucional në shtet, asnjë përmirësim në garancitë e lirisë, pasurisë dhe shërbimeve për familjet dhe individët shqiptarë.

Institucionet, ligjshmëria, sistemi i referencës, fjalori demokratik dhe historia gjysëm e suksesshme e tranzicionit, janë kontestuar fort e në mënyrë të paligjshme në vitet 2009-2011, pushteti është përgjigjur gjithashtu me brutalitet dhe arbitraritet dhe kështu u shkatërrua shteti. Akuza se zgjedhjet janë vjedhur ka pasur tanaherët por kurorëzimi i akuzave me 21 janar, nuk pati ndodhur. Akuzat kishin mbetur në funksion të eksitimit të militantëve.

Prej vitit 2013 e tehu kontestimi njeh përmasa të tjera. Dallohet një agresivitet i gjithanshëm i krizës dhe një shkatërrim pa kthim i institucioneve dhe vlerave të pretenduara. Pushteti nuk e ndjen më të nevojshme as fasadën demokratike dhe kushtetuese. As për sy e faqe. Sepse pala sot në pushtet e ka kontestuar qysh në 21 janar 2011 sistemin dhe konsensusin e mëpërparshëm.

Me fjalën “Krizë” përshkruhet momenti i përkohëshëm e i jashtëzakonshëm, quhet dalja prej normalitetit mirëpo supozohet se ka mbetur ende konsensus i gjerë dhe ekziston ende një vetëdije se duhen bërë përpjekje për tu kthyer përsëri në normalitet e në legalitet.

Kriza 11 vjeçare shqiptare nuk quhet më krizë sepse ajo është transformuar në gjendje të zakonshme, gjendje normale dhe, njerëzit janë mësuar me të. Përpjekjet për tu kthyer në normalitet nuk janë më të gjithanshme dhe vetvetiu kjo gjendje ka pushuar së jetuari si e përkohëshme, ka fituar statusin e realitetit. Si virusi korona për të cilin u tha se duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me të.

Opozita pretendon se krizën e zgjidhin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Teorikisht dhe parimisht, po, kjo është e vërteta. Zgjedhjet janë fillimi i zgjidhjes, janë padyshim zgjidhje e plotë e krizës së vetë opozitës pasi e shpëtojnë duke e ngjitur në pushtet, por nuk janë domosdoshmërisht edhe zgjidhja e plotë dhe e qëndrueshme për Shqipërinë. Megjithatë opozita ka shancin ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Pushteti i tanishëm i Ramës po shkatërron me shpejtësi dhe pandalur financat e Shqipërisë dhe po degradon të drejtat qytetare. Nëse opozita fiton por nuk prish pazaret e krizës, ajo thjesht e shtyn dhe ia pason një opozite tjetër daljen nga kriza dhe denoncimin e pazareve.

Po praktikisht ku jemi? A ekziston mundësia që të mbahen zgjedhje të lira dhe institucionet shqiptare të fitojnë legjitimitet që politikanët të kenë mandej me çfarë legjitimiteti të abuzojnë?

Kriza si normalitet “u ka rënë taman” shumë personave.

Këtyre personave të rëndësishëm ekonomikisht e politikisht u intereson kriza si normalitet. Se po pati dalje nga kriza të Shqipërisë, futen në krizë krimi dhe oligarkia, media dhe politika. Pse? Sepse pazaret janë nënshkruar sipas rregullave të krizës dhe po dolëm nga kriza, lëviz kursi i këmbimit të pushtetit me paranë.

Dalja nga kriza nënkupton ndryshim të kontratave formale dhe informale. Disa persona, nuk do të merrnin më ato para, ato favore dhe atë pushtet që marrin sot.

Ndaj oligarkët do të hedhin në zgjedhje paratë e korrupsionit dhe spekulimit, grupet e krimit do hedhin paratë e krimit, me këto para do paguhen zyra, do blihet kohë televizive, do blihen vota, do të orientohem votuesit dhe do trukohet rezultati. Kush mundet ta ndalojë ketë?

Vetëm vetëdijësimi dhe pretendimi në rritje i shqiptarëve e nxjerr Shqipërinë nga kriza që është kthyer në normalitet. Vetëm duke u bindur se liritë dhe të drejtat nuk janë dhuratë nga shteti por dhuratë nga Zoti, vetëm duke besuar se paratë e buxhetit të shtetit janë pronë e shqiptarëve dhe duhen shpenzuar për Shqipërinë, gjendja mundet të ndryshojë. Përndryshe, kriza vazhdon.