Ngjashmëria midis krimit në realitetin artistik me atë të realitetit politik. Rasti i Teatrit Kombëtar

Dr. ARBEN HOXHA, Instituti Albanologjik Prishtinë.

Këto ditë, përmes televizioneve tona, patëm rastin të shohim pamje të ushtrimit të forcës brutale mbi objektin e Teatrit Kombëtar të Tiranës si dhe ndaj personave që ishin mbledhur për të rezistuar kundër shembjes së tij. Si është e mundur që në realitetin tonë kulturor, njerëzit e proveniencës së kulturës dhe të shkencës, kur gjenden në pozicione dhe role politike, marrin vendime antikulturore – në një rast – duke emëruar Ministër të Kulturës një qenie me habitus antikulturor (siç ka ndodhur në Kosovë në periudhën para shpalljes së pavarësisë) dhe, në rastin tjetër, duke ndërmarr akte antikulturore, me premisa të kulturocidit, siç akti i rrënimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë?

Pamja e rrënimit të Teatrit Kombëtar, e shfaqur dhe e përsëritur shumë herë në televizionet tona, më fuste në një gjendje paradoksaliteti midis revoltës edhe neverisë: si është e mundur që një mënyrë e tillë barbare e rrënimit të Tempullit të Artit Shqiptar të ndodhë në kohën kur ekzekutivin e udhëheq një njeri i proveniencës së artit (pamor). Ky paradoks, duke e vënë në lëvizje mekanizmin tim të asociacioneve të ngjashmërisë, më ktheu në atmosferën e romanit “Tempulli i Artë” të shkrimtarit japonez Yukio Mishima.

Romani flet për një budist të ri, i cili, duke u kolovitur midis ëndrrës për të qenë një artist i madh dhe ëndrrës për të qenë një tiran i madh, përfundon në kriminel. Fakti i të qenit artist për protagonistin është një mundësi për shijimin e ndjenjës së krenarisë. Por, një krenari e padukshme, siç është ajo e artistit, është e pamjaftueshme për te. Të qenit tiran, përmes autoritetit të forcës, krenarinë e bënë lehtësisht të dukshme. Duke qenë tepër krenar për të qenë vetëm artist me krenari të padukshme, ndërsa duke pasur deficit të madh të forcës së autoritetit për të qenë tiran, personazhi narrator në roman përfundon në kriminel. Ai e djegë Tempullin e Artë – institucion ky që nxjerrë priftërinj budist të rinj, nxënës i së cilës është edhe personazhi narrator – simbolin e autoritetit të bukurisë arkitektonike dhe fuqisë së autoritetit ( të “tiranisë” së të madhërishmes morale dhe estetike). Tempulli i Artë bëhet pasqyra e kudodukshme për shpirtin e gjymtuar të protagonistit. Djegia e Tempullit të Artë është mënyra e vetme përmes së cilës ai do të mund të lirohet nga ankthi i ëndrrës (ëndrrës për të qenë artist apo tiran i madh) që i rri, as në kokë e as në zemër, por mbi kokë, si shpatë e Demokleut.

Paradoksi, i cili veprës i jep përmasë të thelluar tragjidiciteti, qëndron në faktin se një budist e djegë një Tempull të Budizmit. Si është e mundur kjo? I pafuqishëm për t’u identifikuar me përsosmërinë në identitet, personazhi në roman zgjedhë të identifikohet me diferencën e vet për ta zhdukur identiken, si referencë që e bën të dukshme diferencën e vet. Ai s’mund të jetë as nën e as i barabartë me identiken. Si tiran ai duhet të jetë vetë indetikja. Por, si tiran i pa fuqishëm, atij i duhet ta zhdukë identiken për t’u vetëmjaftuar me diferencën e vet.

Ngjashmëria e personazhit të veprës së Mishimas me Edi Ramën, konsiston në faktin se, duke qenë i proveniencës së artit pamor, Rama e rrënon, jo një objekt, por një Botë Arti. Ngjashmëria tjetër konsiston me kohën fizike kur kryhet krimi si dhe me natyrën e kontekstit “historik” kur kryhet krimi. Protagonisti i romanit të Mishimas e djegë Tempullin e Artë në pikën e kuqëlimit të mëngjesit dhe në kohën e shpërthimit të Luftës së Koresë. Edi Rama Tempullin e Artit Shqiptar e rrënoi pa aguar mëngjesi dhe në “kontekstin historik” të Luftës së Pandemisë COVID-19.

Nuk është e vërtetë se arti e imiton realitetin. Përkundrazi, është realiteti që e imiton artin!